Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 28

5. POEMAT MBI IZRAELIN E MBI JUDËN, Kundër Samarisë, etj.

29 vargje

5. POEMAT MBI IZRAELIN E MBI JUDËN

Kundër Samarisë

1Vaj për kurorën e të dehurve të Efraimit, për lulen e vyshkur, stolinë e saj krenare, për ata që ishin në krye të luginës pjellore, të marrakotur nga vera!

2Ja, prej Zotit i dërguar një njeri i fortë, si reja me breshër, si vorbulla me stuhi, si rrjedha e ujërave të shumta vërshuese, gjithçka për tokë përplas me përdhuni!

3Me këmbë do të shkelmohet kurora krenare e Efraimit,

4dhe lulja e vyshkur, stolia e saj krenare, që është në krye të luginës pjellore, do të jetë porsi fiku i pjekur para vere, që posa dikush e sheh, menjëherë e vjel me dorë dhe e përlan!

5Por atë ditë Zoti i Ushtrive do të jetë kurora e lavdishme, dhe keza e shkëlqyeshme për Tepricën e popullit të vet,

6shpirti i drejtësisë për atë që rri në ndenjësen e gjyqtarit dhe forcë e guxim për ata që e zmbrapsin sulmin në derë!

Kundër priftërinjve e profetëve të rremë

7Po se edhe këtyre këmbët po u merren, ço e rrëzo për shkak të të dehurit përkunden, të dehur lëkunden priftërinj edhe profetë, vera i bëri për vete, të dehur këmbët u merren, të tupitur në vegim, të përkundur në gjykim.

8Të gjitha tavolinat plot janë me të vjella të ndyta, s’ka më asnjë vend të pastër!

9“Kujt ai kështu ia mëson urtinë? Kujt ai kështu ia shtjellon vegimin? A thua foshnjave të hequra nga qumështi, a thua foshnjave posa të larguara nga parzmat?”

10Sepse përsërit: “Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj, rregull mbi rregull e rregull mbi rregull, pak këtu e pak atje!”,

11me buzë belbacuke, në gjuhë të huaj i flet këtij populli

12ai që u kishte pasë thënë: “Ja, pushimi! Jepini pushim të lodhurit! Ja qetësia!”, por s’deshën të dëgjojnë!

13Prandaj Zoti kështu do tu thotë: “Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj, rregull mbi rregull e rregull mbi rregull, pak këtu e pak atje!” që të shkojnë e të bien në kokërr të shpinës, që të thërmohen, të zihen në leq e të kapen!

Kundër këshilltarëve të këqij

14Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit, ju o përqeshës, që zotëroni mbi popullin tim që është në Jerusalem.

15Ju thoni: Kemi bërë lidhje me Vdekjen, jemi marrë vesh me Nëntokën; kur të kalojë shuplaka përmbytëse, ne nuk do të na kapë, sepse shpresën tonë e kemi vënë në rrenë dhe jemi fshehur në dredhi.’

16Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: ‘Ja, unë do të vë për themel një gur në Sion, gur të sprovuar, këndor, të çmueshëm, të themeluar; kush të besojë s’do të marrakotet.

17Të drejtën do ta bëj masë e drejtësinë plumç; dhe breshri do ta rrënojë strehimin tuaj të gënjeshtrës e ujët do ta vërshojë vendin e fshehjes.

18Do të zhbëhet lidhja juaj me Vdekjen dhe marrëveshja juaj me Nëntokën s’do të qëndrojë! Kur të kalojë shuplaka vërshuese përmbi ju ajo do të shkelë;

19sa herë që të kalojë, përpara do t’ju marrë; do të kalojë çdo mëngjes, ditë e natë: vetëm tmerri do të bëjë të merret vesh porosia.’

20Tepër i shkurtër do të jetë shtrati për t’u shtrirë njeriu, tepër e ngushtë do të jetë mbuloja për t’u mbuluar.

21Sepse, porsi mbi malin Farasim Zoti do të ngrihet, porsi në luginën e Gabaonit do të zemërohet, për ta kryer veprën e vet - veprën e jashtëzakonshme, për ta bërë punën e vet - punën e vet të mrekullueshme.

22E tani pushoni së përqeshuri, që të mos ju shtrëngojnë edhe më tepër prangat, sepse prej Zotit, Hyjit të Ushtrive, dëgjova urdhrin e shkatërrimit kundër mbarë botës.

Shëmbëlltyra

23Ma vini veshin e dëgjojeni zërin tim, me kujdes dëgjojeni bisedën time.

24A thua nuk lëron gjithë ditën bujku për të mbjellë, a s’e thyen e s’e trinon arën e vet?

25E pasi ia rrafshon sipërfaqen a s’mbjell qiqër, nuk e qet morajën, nuk e hedh grurin e elbin, e anëve të arës thekrën?

26Të veprojë drejtë dijen ia jep, e mëson Hyji i tij.

27Sepse qiqra nuk shihet me trinë, as moraja me rrotë qerri, por me thupër shihet qiqra e me shkop rrahet moraja.

28Pse a thua gruri grimcohet? Jo, pse s’shihet pa mbarim: se grimcon rrota e qerrit, as s’thërmohet nga thundrat e kuajve.

29Edhe kjo patjetër vjen prej Zotit, Hyjit të Ushtrive, që është në këshill i mrekullueshëm, i madhërueshëm për nga dija.