Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 31

Kundër lidhjes me Egjiptin, Kundër lidhjes me Egjipt, etj.

9 vargje

Kundër lidhjes me Egjiptin

Kundër lidhjes me Egjipt

1Vaj për ata që zbresin në Egjipt për ndihmë, që shpresën e kanë në kuaj, që shpresojnë në karroca lufte të shumta, e në kalorës pse janë tepër të fortë e nuk e vënë shpresën në Shenjtin e Izraelit e prej Zotit këshillë s’kërkojnë!

2Po, edhe Ai është i dijshëm e mund të sjellë të keqen, fjalët e veta Ai nuk i kthen dalë, Ai do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve, kundër ndihmës së atyre që bëjnë keq.

3Egjiptiani është njeri e jo Hyj, kuajt e tyre mish janë e jo shpirt; e kur Zoti të shtrijë dorën e vet, do të rrëzohet ai që sjell ndihmë, për dhe do të bjerë edhe i ndihmuari, të gjithë së bashku do të sharrojnë.

Kundër Asirisë

4Sepse kështu Zoti më ka thënë: “Siç ulërin tmerrshëm luani o kotorri i luanit mbi prenë, kur në të lëshohet turma e barinjve, por nuk trembet prej zërit të tyre as s’ka frikë prej zhurmës që bëjnë ata, kështu do të zbresë Zoti i Ushtrive për të luftuar për malin Sion, për kodrinën e tij.

5Porsi shpendët që fluturojnë, kështu Zoti i Ushtrive do ta mburojë Jerusalemin, do ta mbrojë, do ta çlirojë, do ta falë, do ta shpëtojë!”

6Kthehuni tek Ai, bij të Izraelit, prej të cilit u larguat krejtësisht!

7Po atë ditë secili prej jush duhet ti flakë idhujt e vet të argjendtë e të artë, që i punuat me duart mëkatare tuajat!

8Asiria s’do të bjerë prej shpatës së njeriut, do ta përpijë shpata jo e vdekatarit, do të marrë arratinë para shpatës, të rinjtë e tij skllevër do të bëhen.

9E frikësuar do të shkojë fuqia e saj, krerët e saj do ta druan flamurin, tha Zoti zjarri i të cilit është në Sion, furra e të cilit është në Jerusalem.