Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 33

Psalm shprese në Zotin, Ardhja e Zotit, etj.

24 vargje

Psalm shprese në Zotin

1Vaj për ty që bën pre pa qenë bërë pre, që shkreton pa pasë qenë shkretuar! Pasi të kesh bërë pre edhe ti pre do të bëhesh, pasi të kesh shkretuar edhe ti do të shkretohesh!

2Ti, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse shpresën e kemi në ty. Krahu ynë ji çdo mëngjes, shpëtimi ynë në ditë të mjerimit!

3Nga zëri i kërcënimit ikin popujt, kur ti ngrihesh, shpërndahen popujt,

4do të grumbullohet pre siç grumbullohen vemjet, në të do të sulen, siç sulen karkalecat!

5I lartë është Zoti, sepse banon në lartësi, e mbush Sionin me të drejtë e me drejtësi.

6Ditët e tua janë të palëkundshme. Pasuri shpëtimprurëse është urtia e dija, visari i tij është frika e Zotit.

Ardhja e Zotit

7Ja, kasnecët thërrasin nga jashtë, thekshëm qajnë lajmëtarët e paqes.

8Shkretë janë sheshet, kush rrugës skalon; e prishi besëlidhjen, i përbuzi dëshmitarët, për askënd skujdeset më.

9Dënes e rënkon toka, i turpëruar Libani, u bë i shëmtuar, shkretëtirë erdhi e u bë Saoni, shkrumb u bënë Bazani e Karmeli.

10“Tani po ngrihem - thotë Zoti - tani në këmbë po çohem, tani po madhërohem!

11Ngjizni sanë, kashtë do të lindni, fryma ime do t’ju përpijë si zjarri!

12Popujt do të jenë furra gëlqereje, rrozga të bashkuara, zjarri do t’i djegë!

13Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!”

14U tmerruan në Sion mëkatarët, tmerri i pushtoi të paudhët: “Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?”

15Ai që ecën me drejtësi, ai që flet çka është e drejtë, që skërkon fitim në cubëri, që shkund duart të mos marrë ryshfet, që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,

16i tilli do të banojë në lartësi, strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, bukë ka mjaft, ujët s’i mungon.

E ardhmja e lavdishme

17Sytë e tu do të kundrojnë mbretin mbuluar në shkëlqim, do të kundrojnë një vend të pamasë.

18Zemra jote me frikë do të pyesë: “Ku është shkruesi? Ku peshuesi? Kah vajti numëruesi i pirgjeve?”

19S’do të shohësh më popull arrogant, të gjuhës së huaj që vesh nuk merret, të gjuhës barbare, të pakuptimshëm.

20Kundro Sionin, qytetin e festave tona; sytë e tu do të shohin Jerusalemin, banim të sigurt, tendë që nuk do të zhgrehet, hunjtë e saj kurrë s’do t’i nxirren, e litarët kurrë s’do ti këputen!

21Atje është Zoti i madhërishëm për ne, në vend të lumenjve e të degëve të gjera; anije me rrema andej s’do të kalojë, s’do të lundrojë asnjë anije e madhe.

22Sepse Zoti është gjykatësi ynë, sepse Zoti është ligjdhënësi ynë, Mbreti ynë është Zoti vetë: prej Tij ne presim shpëtimin.

23Janë çliruar litarët e tu, s’mund ta mbajnë direkun tënd, s’mund ta shtrijnë velin tënd. Edhe të verbërit atëherë do të ndajnë pre, do të plaçkisin deri edhe të shqeptët!

24Asnjë qytetar s’do të thotë: “Jam i sëmurë”. Popullit që banon në të, do t’i shlyhet fajësia.