Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 36

SHTOJCAT, Pushtimi i Senakeribit

22 vargje

SHTOJCAT

Pushtimi i Senakeribit

1Të katërmbëdhjetin vit të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i asirianëve, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judesë dhe i pushtoi.

2Atëherë mbreti i Asirisë nga Lakisi e dërgoi rabsakun në Jerusalem te mbreti Ezeki me një ushtri të madhe. Ky zuri vend tek ujësjellësi i Liqenit të sipërm në udhën e fushës së Larësit të rrobave.

3I dolën në takim Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i oborrit, sekretari Sobna dhe këshilltari Joahe, biri i Asafit.

4Rabsaku u tha: “Thuajini Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: Ç’është kjo siguri e madhe që po e tregon?

5Ti mendon: Mjafton një fjalë goje për të gjetur këshillë e forcë në luftë! Në kë pra, ti e ke vënë shpresën që je çuar kundër meje?

6Ja, ti po mbështetesh tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, tek i cili kush mbështetet, ia ther dorën dhe ia shporon: i tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të.

7Nëse do të më përgjigjesh: Shpresojmë në Zotin, Hyjin tonë, pse a nuk është ai, të cilit Ezekia ia hoqi lartësirat dhe lterët dhe i tha Judës e Jerusalemit: Adhuroni vetëm para këtij lteri!

8Qiti bast, pra, zotërisë tim, mbretit të Asirisë, dhe unë do të jap dy mijë kuaj, nëse mund të gjesh kalorës për ta.

9E si do të mund ti bësh ballë vetëm edhe njërit ndër më të vegjlit shërbëtorë të zotërisë sim? Por ti e ke vënë shpresën në Egjiptin për karroca lufte e për kalorës!

10E pastaj, a thua se unë jam nisur kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa pëlqimin e Zotit? Vetë Zoti më tha: Sulu kundër këtij vendi e shpartalloje!“

11Eliacimi, Sobna e Joaheu iu përgjigjën rabsakut: “Fol me shërbëtorët e tu aramaisht, sepse e marrim vesh këtë gjuhë e mos na fol hebraisht në praninë e popullit që është përmbi mure.”

12Por rabsaku u përgjigj: “A thua më dërgoi zotëria im t’ia them këto fjalë zotërisë tënd dhe ty? Vallë, a jo më tepër te këta burra që rrinë përmbi mure, të cilët së shpejti do të jenë të shtrënguar bashkë me ju të hanë jashtëqitjet e veta dhe të pijnë ujët e vet?”

13Atëherë u ngrit rabsaku e bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: “Dëgjojini fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë:

14Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia, sepse ai s’do të mund t’ju shpëtojë!

15Mos lejoni t’jua mbushë mendjen Ezekia ta vini shpresën tuaj në Zotin duke ju thënë: Me siguri do të na shpëtojë Zoti; ky qytet nuk do të bjerë në dorë të mbretit të asirianëve!

16Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i asirianëve: Lidhni miqësi me mua e dilni e më ndeshni, e secili prej jush do të hajë frytet e vreshtit të vet, secili fiqtë e vet dhe secili do të pijë ujët e cisternës së vet,

17derisa të vij e t’ju marr për t’ju shpënë në një vend si i juaji, në një tokë që prodhon grurë e verë, në një vend buke e vreshtash.

18Mos t’ju gënjejë Ezekia duke thënë: Zoti do të na shpëtojë! Pse a i shpëtuan hyjnitë pagane secila vendin e vet, nga dora e mbretit të Asirisë?

19Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit? Vallë, a e shpëtuan Samarinë nga dora ime?

20Cilat, prej të gjitha hyjnive të këtyre vendeve, e shpëtuan vendin e vet prej dorës sime? Pse a do ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej dorës sime?”

21Populli heshti e siu përgjigj asnjë fjalë, sepse mbreti kishte urdhëruar: “Mos iu përgjigjni!”

22Atëherë kryekujdestari i oborrit mbretëror, Eliacimi, biri i Helcisë, sekretari Sobna dhe Joaheu, biri i Asafit, si shqyen petkat, shkuan tek Ezekia dhe ia treguan fjalët e rabsakut.