Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 37

Takim me Isainë, Largimi i rabsakut, etj.

38 vargje

Takim me Isainë

1Kur dëgjoi Ezekia mbret, i shqeu petkat e veta, u mbështoll me thes dhe hyri në Shtëpinë e Zotit.

2Atëherë dërgoi Eliacimin, kryeoborrtarin e pallatit, Sobnën, sekretarin, dhe më pleqtë ndër priftërinj, të gjithë të veshur me grathore, te profeti Isai, biri i Amosit,

3për ti thënë: “Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është ditë ngushtice, qortimi e turpi! Erdhi koha të lindin fëmijët, por s’ka fuqi të lindë!

4Ndoshta Zoti, Hyji yt, do ti dëgjojë fjalët e rabsakut, që e dërgoi zotëria i tij, mbreti i asirianëve, për ta fyer Hyjin e gjallë e do ta ndëshkojë për fjalët që do ti ketë dëgjuar Zoti, Hyji yt. Lartësoje tashti një lutje drejt tij për Tepricën që ende ka shpëtuar gjallë!”

5Shërbëtorët e mbretit Ezeki shkuan tek Isaia.

6Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: Mos u tremb prej fjalëve që ke dëgjuar me të cilat blasfemuan kundër meje shërbëtorët e mbretit të Asirisë.

7Ja se unë do ti fryj në vesh e, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet. Do të bëj që në vendin e vet të mbetet i vrarë nga shpata.”

Largimi i rabsakut

8Rabsaku u kthye dhe e gjeti mbretin e asirianve duke luftuar kundër Lobnës, sepse kishte dëgjuar se mbreti ishte larguar nga Lakisi,

9pasi kishte marrë lajmin lidhur me Tarakën, mbretin e Etiopisë: “Ka dalë për të luftuar kundër teje.”

Ndërmarrja e dytë e Senakeribit kundër Jerusalemit

Kur e mori këtë lajm, dërgoi lajmëtarë tek Ezekia me këto fjalë:

10“Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos të rrejë Hyji yt, në të cilin ti shpreson, duke të thënë: S’do të lëshohet Jerusalemi në duar të mbretit të asirianëve.

11Ti e di se çka kanë bërë mbretërit e Asirisë me të gjitha vendet që i truan shfarosjes, e vetëm ti kujton se do të shpëtosh?!

12A i shpëtuan hyjnitë e kombeve që i shpartalluan etërit e mi: gozanët, karranët, rezefët dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

13Ku është mbreti i Ematit, mbreti i Arfadit, mbreti i qytetit të Sefarvaimit, Ana e Ava?”

14Ezekia e mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe e lexoi. U ngjit në Shtëpinë e Zotit dhe Ezekia e shtriu para Zotit.

15Dhe Ezekia iu lut Zotit kështu:

16“Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, ti që rri mbi kerubinë, ti je Hyji i vetëm i të gjitha mbretërive të tokës, ti që e ke krijuar qiellin e tokën:

17prire, o Zot, veshin tënd e dëgjo. Hapi, o Zot, sytë e tu e shih e dëgjoji të gjitha fjalët e Senakeribit që i dërgoi për të blasfemuar Hyjin e gjallë.

18Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkatërruar popujt e vendet e tyre

19dhe ia truan zjarrit zotat e tyre: por ata nuk ishin hyjni, por vepër e duarve të njerëzve: dru e gur; këndej edhe i zhdukën.

20Por tani, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij dhe të gjitha mbretëritë e dheut do ta marrin vesh se ti, o Zot, je i vetmi Hyj.”

Ndërhyrja e Isaisë

21Isaia, biri i Amosit, dërgoi ti thuhet Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ti ma drejtove një lutje në lidhje me Senakeribin, mbretin e Asirisë:

22ja, pra, fjala që Zoti tha kundër tij: Po të përbuz, po të vë në lojë virgjëra, Bija e Sionit. Pas teje po e tund kokën Bija e Jerusalemit!

23Po kë blasfemove, kë vure në lojë? Kundër kujt lartësove zërin e i ngrite sytë me krenari? Kundër Shenjtit të Izraelit!

24Me anë të shërbëtorëve të tu e blasfemove Zotin. Ti the: ‘Me mbushulli të karrocave të mia hipa në majë të bjeshkëve, në kreshtat e Libanit; i preva më të lartët cedra, bredhat më të zgjedhurit, i dola në majë të majës, në pyllin e tij ku s’ra kurrë sëpata!

25Çela e piva ujin e huaj, me gjurmë të këmbëve të mia i thava të gjithë lumenjtë që ka Egjipti!’

26Dëgjo këtu! Tanisa kohë e kam synuar, që moti e sendërgjoj e tani dua ta sendërtoj: të takonte ty t’i shrrënjosje, në grumbuj gurësh t’i ktheje qytezat!

27Banorët e tyre si dorëcunga, mendësh u morën e u tmerruan, ishin porsi bari i fushës, si gjelbërimi i njomë, si bar pullazesh, që e than era e lindjes.

28E di kur ngrihesh e kur ulesh, kur del e kur kthehesh e marrëzinë tënde kundër meje.

29Kur ti shfryje në mëri kundër meje, krenaria jote arriti në veshët e mi, do ta vë rrethin në hundët e tua, edhe në gojë do ta vë frerin e do të të kthej udhës prej nga erdhe!

Shenja për Ezekinë

30E kjo gjë të të shërbejë për shenjë: Sivjet të hahet çka të mund të mblidhet, në vitin e ardhshëm çka vetë të mbijë; vitin e tretë mbillni e korrni, mbillni vreshta e hajuani frutat.

31Kush të shpëtojë prej shtëpisë së Judës rrënjët poshtë thellë do t’i lëshojë e lart fruta do të japë.

32Sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica, të Shpëtuarit nga mali i Sionit. Këtë do ta bëjë zelli i Zotit të gjithëpushtetshëm.

Profeci kundër Asirisë

33Prandaj kështu thotë Zoti në lidhje me mbretin e asirianëve: ‘Në këtë qytet ai nuk do të hyjë, asnjë shigjetë në të s’do ta hedhë, përballë tij as shqyt s’do të sjellë, kundër tij llogor s’do të ngrejë.

34Udhës prej nga erdhi andej do të kthehet në këtë qytet ai nuk do të hyjë’- kështu thotë Zoti.

35Këtë qytet do ta mbroj, do ta shpëtoj, për nder të vetvetes e të Davidit, shërbëtorit tim.”

Ndëshkimi i Senakeribit

36Atëherë shkoi engjëlli i Zotit dhe i vrau në fushimin e asirianëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë vetë. Në mëngjes, kur u ngritën, ishin të gjithë kufoma!

37Atëherë Senakeribi, mbreti i asirianëve u ngrit e shkoi. U kthye në Ninivë.

38E ndodhi që ndërsa ai po falej në tempullin e zotit të vet Nesrokut, Adrameleku e Sarasari, bijtë e tij, e goditën me shpatë dhe ikën në vendin Ararat. Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.