Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 40

II. LIBRI I NGUSHËLLIMIT TË IZRAELIT, Thirrja e profetit, etj.

31 vargje

II. LIBRI I NGUSHËLLIMIT TË IZRAELIT

Thirrja e profetit

1“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj!

2Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithini atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”

3Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot.

4Le të ngritet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpira le të bëhet e rrafshtë:

5do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!”

6Një zë kumton: “Shpall!” Pyeta: “Çfarë të shpall?” Çdo njeri është bar, e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës;

7thahet bari, vyshket lulja kur fryma e Zotit bie mbi të. Vërtet populli është si bari!

8Thahet bari e bie lulja: kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.

Lajmërim hyjdëftimi

9Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell sihariqin Sionit; ngrite me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell sihariqin Jerusalemit! Klith me të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj,

10ja, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij!

11Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, npërqafim i mbart; i shikon me kujdes pëllejat.”

Madhëria e Zotit

12Kush me grusht e ka matur ujët e detit e me pëllëmbë përmasat e qiellit? Kush e mati me babune pluhurin e tokës, e i peshoi me peshore malet dhe me kandar kodrat?

13Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?

14Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, ia mësoi udhën e drejtësisë, e thelloi atë në urtësi, ia tregoi udhën e dijes?

15Ja, popujt janë një pikë uji e kovës, çmohen si një kokërr pluhur në peshore, sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.

16Libani është i vogël për turrë të druve, fli shkrumbimi sdalin kafshët e tij.

17Asgjë s’janë para Tij të gjithë popujt, për asgjë e kotësi Ai i mban.

18Kë të gjeni që ti përngjajë Hyjit? O çshembëllesë mund ti vini përbri?

19Farkëtari e shkrin idhullin, arëtari e përaron, argjendari i bën vargje sermi.

20Skamnori i madh gjen dru të pakalbshme: kërkon për vete mjeshtër të ditur t’ia punojë truporen e palëvizshme.

21Pse a se dini? Pse a sdëgjuat? Pse a s’ju qe thënë që moti? S’e dalloni Themeluesin e tokës?

22Ai rri në fron mbi rrethin e botës, banorët e së cilës janë porsi karkaleca; Ai i shtrin porsi pola qiejt, i ngreh porsi tendën për të banuar;

23Ai i kthen në asgjë princat, një asgjë i bën gjykatësit e dheut.

24Janë si lëndët që posa u mbollën, posa u vunë, posa trupi u lëshoi rrënjë në dhe: nëse u fryn, ata thahen, i mbart era porsi byk!

25“Po me kë do të më krahasoni, që të jem unë i njëjtë me të?” pyet Shenjti.

26Çoni lart sytë tuaj e shikoni: kush i krijoi trupat qiellorë? - Ai që të gjithë i qet në rresht të luftës e secilin e thërret për emër! Kaq e madhe është fuqia e tij, kaq e fortë energjia e tij kështu që asnjë s’ka si të mungojë!

Provania e gjithëpushtetshme

27Përse thua, o Jakob, përse flet, o Izrael: “Udha ime është e fshehtë për Zotin, skujdeset për të drejtën time Hyji im?”

28Pse a se di? Pse a s’ke dëgjuar? Hyji është Zot i amshueshëm, Krijuesi i botës skaj më skaj. Ai nuk lodhet, ai s’moliset, e pashqyrtueshme është dija e tij.

29Ai të lodhurit i jep fuqi, të pamundshmit ia shton fuqitë.

30Lodhen të rinjtë edhe meken, marrin në thua të rriturit e rrëzohen,

31kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin edhe kurrë nuk meken.