Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 42

Kënga e parë mbi Shërbëtorin e Zotit, Pjesa e parë, etj.

25 vargje

Kënga e parë mbi Shërbëtorin e Zotit

Pjesa e parë

1Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve.

2Ai s’do të bërtasë, s’do ta ngrejë zërin, zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe.

3Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe pa u trembur ai do ta shpallë të drejtën.

4S’do të lodhet as nuk do të pushojë derisa ta ketë vendosur të drejtën në tokë. Ishujt e presin me afsh mësimin e tij.

Pjesa e dytë

5Kështu thotë Zoti Hyj që krijon qiejt dhe ata i shtrin, që e bën të fortë tokën e çka prej saj mbin, që u jep frymën popujve që e banojnë, edhe shpirtin atyre që mbi të shkelin:

6Unë, Zoti, të thirra në drejtësi e për dore të kam marrë; të kam trajtuar e caktuar besëlidhje të popullit edhe dritë për të gjithë popujt:

7që tua hapësh sytë të verbërve, që t’i nxjerrësh të burgosurit nga burgu, prej shtëpisë së burgut ata që rrinë në terr.

8Unë Zoti: ky është emri im; lavdinë time tjetërkujt s’ia jap, as nderin tim idhujve të gdhendur.

9Ngjarjet që më parë i parakallëzova, ja, të gjitha ndodhën, po edhe çka do të ndodhë para se të ndodhë, do t’ju parakallëzoj.

Kënga ngadhënjimtare

10Këndojini Zotit një këngë të re, lavdinë e tij prej skajeve të tokës, le ta lavdërojë deti me gjithçka që mban brenda, ishujt me banorët e tyre!

11Le ta lartësojë zërin shkretëtira dhe qytetet e saj, le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët, le të brohorisin banorët e Qetës, le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!

12Le ti japin nder Zotit, lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!

13Marshon Zoti porsi trim mbi trima, si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin, me britma lufte ushton zëri i tij, ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.

14“Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta, qeshë i durueshëm, tashti do të bërtas si lindësja, do të gjëmoj, njëherësh do të turfëlloj!

15Shkretëtirë do të bëj male e kodra, do të përvëloj çdo blerim të tyre, ishuj lumenjtë do t’i bëj, kurse kënetat do t’i përthaj!

16Do ti bëj të verbërit të ecin udhës që se njohin, shtigjeve që s’i njohin t’i bëj të kalojnë, errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej, udhët e shtrembëra do t’i bëj të drejta. Fjalën që ua dhashë për ta do ta zbatoj, e ata dore s’do t’i lëshoj!

17Do të zmbrapsen me turp e turp ata që shpresojnë në idhull, ata që trupores i thonë: Ju jeni zotat tanë, “

Verbëria e popullit

18Dëgjoni, ore shurdhana, o të verbër, hapni sytë e shihni!

19Kush është i verbër porsi shërbëtori im, i shurdhër porsi kasneci që e dërgoj? Kush është i verbër si kasneci im? Kush është i verbër si shërbëtori i Zotit?

20Pe shumë gjëra, por sua vure mendjen, veshët i hape, por nuk deshe të ndiesh!

21I pëlqeu Zotit për shkak të drejtësisë së vet ta lartësojë e ta madhërojë Ligjin.

22E pra ky është një popull i plaçkitur e i rrëmbyer, të gjithë në pranga të hedhur në gropa, të ndryer të gjithë në shtëpi burgjesh. U bënë pre e askush s’i shpëton, i plaçkitën e askush sthotë: “Ktheji!”

23Por kush prej jush ia vë veshin kësaj? Kush kujdeset e dëgjon për të ardhmen?

24Kush e lëshoi Jakobin pre të bëhet, e Izraelin kush ia dorëzoi cubave? Vallë a jo Zoti, kundër të cilit mëkatuam? Udhës së të cilit s’deshën të ecin dhe s’ia zbatuan Ligjin e tij.

25Mbi ta e zbrazi zemërimin e hidhërimit të vet edhe tmerrin e luftës së fortë. Gjithkah përreth e rrethoi zjarri por as këtë ai s’e kuptoi; e përpiu flaka, porse vesh se mori!