Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 43

Çlirimi i Izraelit, Zoti është Hyji i vetëm, etj.

28 vargje

Çlirimi i Izraelit

1Tashti kështu thotë Zotynë që të krijoi ty, o Jakob, që të trajtoi ty, o Izrael: “Mos u tremb se unë të shpërbleva, e të thirra me emrin tënd, ti je imi!

2Përmbi ujëra kur të kalosh, me ty do të jem, lumenjtë mbi ty nuk do të vërshojnë; nëpër zjarr kur të kalosh, nuk do të digjesh, flaka ty nuk do të të djegë,

3sepse unë Zoti, Hyji yt, Shenjti i Izraelit, Shpëtimtar: për shpërblimin tënd jap Egjiptin, në vend tënd jap Etiopinë e Sabën.

4Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, dhe i lavdishëm; unë të dua, i jap njerëzit në vend tënd, popujt për jetën tënde.

5Mos u tremb: unë jam me ty: farën tënde do ta kthej prej Lindjes prej perëndimit do të të bashkoj.

6Veriut unë do ti them: Ma jep! e jugut: Mos e mbaj! silli bijtë e mi prej së largu, bijat e mia prej skajeve të tokës!

7Secilin që thirret në emrin tim; që e krijova për nderin tim, që e ndërtova edhe e trajtova.”

Zoti është Hyji i vetëm

8hidhe jashtë popullin e verbër, e pra sytë i ka, popullin e shurdhër e pra veshët i ka.

9Të gjithë popujt le të mblidhen së bashku le të bashkohen të gjitha fiset: e le të tubohen popujt kush ndër to mund t’i shpallë këto që t’i dimë para se të ndodhin? Të sjellin dëshmitarët e vet e do t’u japim arsye, që të dëgjohet e të thuhet: ‘Është e vërtetë!’

10Porse ju më jeni dëshmitarë, kështu flet Zoti - shërbëtorët e mi që unë ju zgjodha, që ta dini e të më besoni, ta kuptoni se jam i tillë: para meje hyjni s’ka pasur, as pas meje një tjetër s’do të ketë!

11Unë, e vetëm unë jam Zot, përveç meje Shëlbues tjetër s’ka!

12Unë parakallëzova dhe shëlbova; bëra të dëgjohem e mes jush hyjni të huaj s’pati. Ju më jeni dëshmitarë - thotë Zoti - dhe unë jam Hyj,

13gjithmonë i tillë që prejamshimit. Askush s’shpëton nga dora ime, çka bëj unë kush mund ta shndërrojë?

Shpartallimi i Babilonit

14Kështu thotë Zoti, Shpëtimtari juaj, Shenjti i Izraelit: “Për dashuri tuaj po dërgoj në Babilon, do t’i mposht ata që ua mbathin këmbëve, edhe kaldenjtë që mburren në anije.

15Unë jam Zoti, Shenjti juaj, Krijuesi i Izraelit, mbreti juaj.”

Mrekullitë e Daljes së re

16Kështu thotë Zoti që rrugë hapi nëpër det, shteg kalimi në ujëra të tmerrshme;

17që bëri të dalin karroca e kuaj, ushtri e kreshnikë së bashku; rrah ranë vdekur, kurrë më s’ngrihen, u fikën si fitili, u shqimën.

18Mos i kujtoni ngjarjet e shkuara, mos mendoni për çka ka kaluar,

19ja, po bëj një gjë të re: tani po lind! A s’po e shihni? Ja, po hap udhën në shkretëtirë, e shtigje në vend të shkretë,

20egërsirat do të më japin lavdi çakajt edhe strucat, se u dhurova ujë në shkretëtirë, lumenj në vend të shkretë, që ti jap ujë popullit, të zgjedhurit tim,

21popullit që e trajtova për vete e që mua do të më japë lavdi.

Mosmirënjohja e Izraelit

22Kurse ti nuk më thirre në ndihmë, Jakob, madje më pate inat, o Izrael!

23S’më kushtove qengja fli shkrumbimi, me fli të tua nuk më nderove. Nuk të mërzita me kërkesa flish, as nuk të lodha me kërkesa kemi.

24Për mua sbleve kallam të erëndshëm, nuk më dehe me dhjamë flish të tua. Përkundrazi, më mërzite me mëkatet e tua, më lodhe me keqbërësitë e tua.

25Unë, unë vetë i shlyej fajet e tua, për nder tim s’i kujtoj mëkatet e tua.

26Më përkujto se gjyq do të kemi së bashku, fol e përligj vetveten!

27Babai yt i pari mëkatoi, ndërmjetësit e tu u çuan kundër meje,

28atëherë i çnderova prijësit e Shenjtërores, Jakobin ia trova shkatërrimit, lashë të poshtërohet Izraeli.