Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 44

Bekimi i Izraelit, Monoteizëm absolut, etj.

28 vargje

Bekimi i Izraelit

1E tani dëgjo, Jakob, shërbëtori im, ti, o Izrael, i zgjedhuri im!

2Kështu thotë Zoti që të krijoi, që të dha trajtë që në kraharor, Ndihmëtari yt: “Mos ki frikë, shërbëtori im Jakob, i dashuri im që vetë të kam zgjedhur.

3Do të dikoj ujëra mbi tokë të etshme, përrenj përmbi tokë të thatë; shpirtin tim do ta dikoj mbi farën tënde, bekimin tim mbi pasardhësit e tu:

4do të rriten si bari bri burimit, porsi shelgjet pranë ujit që rrjedh.

5Njëri do të thotë: I Zotit jam unë!, Jakob tjetri do ta quajë veten. Prapë një tjetër do të shkruajë me dorë të vet: ‘Jam i Zotit!’ e do të quhet me emër Izrael!”

Monoteizëm absolut

6Kështu thotë Zoti, Mbreti i Izraelit, Shpëtimtari i tij, Hyji i Ushtrive: “Unë jam i pari dhe unë i sprasmi, përveç meje Hyj tjetër nuk ka!

7Kush është porsi unë? le të dalë përpara e le të thotë, të ma shtjellojë! Kush e parakallëzoi të ardhmen prej kohëve të lashta? Le të na lajmërojë se ç’do të ndodhë!

8Mos u trembni as mos u hutoni, vallë, a s’jua lajmërova e s’jua zbulova që moti? Ju jeni dëshmitarët e mi! Pse a ka Hyj përveç meje? Jo, s’ka Qetë që unë do ta njihja!”

Përqeshje e idhujtarisë

9Të gjithë punuesit e idhujve janë një asgjë dhe veprat e tyre të çmueshme nuk do tu vlejnë asgjë. Dëshmitarët e tyre nuk shohin as nuk marrin vesh që ti mbulojë turpi.

10Kush punoi ndonjë idhull e shkriu ndonjë trupore e nuk kërkon fitesë?

11Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar. Vetë punuesit e tyre s’janë veçse njerëz. Le të bashkohen të gjithë e le të dalin përpara: do të tremben e do të marrosen njëherësh.

12Farkëtari e punon sakicën në prush, me çekiç i jep trajtën, me dorë të fuqishme e trajton; pëson uri, fuqia i lodhet, ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.

13Gdhendësi në dru e shtrin gjedhen, e shënon atë me thumbat e punon pastaj atë me dalta e me përgjel dhe trajton një fytyrë njeriu, një figurë të bukur njeriu për ta vënë në tempull.

14Pret për vete cedrat, merr një ilqe ose një lis që qëndronin mes lëndëve të pyllit; ose ka mbjellë një pishë që e ushqen shiu.

15Këto janë bërë që njeriu ti djegë; i merr njeriu ndonjë prej tyre për tu ngrohur, i ndez dhe pjek bukë. Por, prej tyre punon zotin dhe e adhuron, punon një trupore e bie përmbys para saj!

16Gjysmën e saj e djeg në zjarr, mbi prush pjek mishin, ha mishin e pjekur e kënaqet, nxehet e thotë: Oh bre, ç’u ngroha, u kënaqa bri zjarrit!

17Kurse me tepricën e saj punoi zotin, trupore për vete; bie përmbys para saj dhe e adhuron dhe i lutet duke thënë: Më shpëto, sepse je zoti im!

18Gjë nuk dinë as nuk kuptojnë: sytë u janë verbuar që të mos shohin, edhe zemra që të mos kuptojnë.

19Të tillët nuk mendojnë me mendjen e vet, u mungon dija dhe kuptimi që të thonë: “Me gjysmën e këtij druri e kam ndezur zjarrin dhe poqa mbi prushin e saj bukën, poqa mishin dhe hëngra, po a thua prej gjysmës tjetër do të punoj këtë turp? Do bie përmbys para cungut të drusë?”

20Ushqehet me hi; e tradhtoi zemra e gabuar, nuk di të librohet e të thotë: “Po a nuk është një gjë e rreme kjo që mbaj në dorë?”

Besnikëri ndaj Zotit

21Kujtoje këtë gjë, Jakob, edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im! Unë të kam trajtuar, je shërbëtori im, o Izrael, ti nuk do të më gënjesh!

22I kam humbur porsi renë fajet e tua, porsi mjegullën mëkatet e tua, kthehu tek unë, sepse të kam shpërblyer.

Këngë hareje

23Galdoni, o qiej, sepse Zoti e bëri këtë gjë, gëzohuni, thellësitë e tokës, thuajani këngës së lavdit, o male, edhe ju, o pyje, me të gjithë drurët tuaj, sepse Zoti e shpërbleu Jakobin, në Izrael e dëftoi lavdinë e vet!

Fuqia hyjnore

24Kështu thotë Zoti, Shëlbuesi yt, Ai që të trajtoi në kraharorin e nënës: Unë jam Zoti, Krijuesi i gjithësisë, Ai që i vetëm i shtriu qiejt, dhe e rrafshova tokën! Kush qe me mua?

25I asgjësoj shenjat e shortarëve, magjistarët i bëj të marrë, i shtrëngoj të dijshmit që të tërhiqen, në marrëzi e shndërroj dijen e tyre,

26por e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim dhe i plotësoj synimet e kasnecëve të mi. Unë i them Jerusalemit: “Mbushu me banorë!”, dhe qyteteve të Judës: “Ndërtohuni!” e rrënojat e tij do ti ndërtoj.

27Unë i them detit: “Shkretohu, lumenjtë e tu unë do ti thaj!”

28Unë them për Cirin: “Bariu im është, gjithçka unë dua ai do ta çojë në vend!” Unë i them Jerusalemit: “Ndërtohu!”, i them Faltores: “Prej themelesh do të ndërtohesh!”