Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 49

Kënga e dytë mbi Shërbëtorin e Zotit, Riatdhesimi me nder

26 vargje

Kënga e dytë mbi Shërbëtorin e Zotit

1Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im.

2Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehu në kukurrën e vet

3dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!”

4E unë thashë: “Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.”

5E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime.

6Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!”

Riatdhesimi me nder

7Kështu i thotë Zoti, Shpërblyesi i Izraelit, Shenjti i tij, atij që e përbuzën, atij që inat e kanë popujt, skllavit të tiranëve: “Mbretërit do të shohin e do të ngrihen në këmbë, gjithashtu princat e do të bien përmbys, për shkak të Zotit që është besnik, të Shenjtit të Izraelit që ty të zgjodhi!”

8Kështu thotë Zoti: Në kohën e volitshme të kam vështruar, të ndihmova ditën e shpëtimit; të ruajta e të caktova të jesh besëlidhja e popullit, që ta ripërtëritësh vendin e ti rindash trashëgimet e shkretuara,

9që tu thuash të burgosurve: “Dilni!” e atyre që janë në terr: “Ejani në dritë!” Do të kullotin afër udhëve, kullota e tyre mbi çdo kodër të shogët.

10S’do të sprovojnë uri as etje, s’do t’i mundojë vapa as dielli, pse do t’u prijë Ai që ka mëshirë për ta dhe do t’i mrizojë ndër gurra të freskëta.

11Të gjitha malet e mia udhë unë do ti bëj, rrugët e mia do të lartësohen.

12Ja, këta po vijnë prej së largu, kurse këta nga veriu e përendimi, këta të tjerët prej dheut të Sinimit.

13Gëzo, o qiell, galdo, o tokë, lavde, o male, ju këndoni, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po ka mëshirë për varfanjakët e vet!

14Tha Sioni: “Zoti më la, më harroi Zoti!”

15E harron - thua - gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!

16Shih, të kam shkruar në duart e mia, muret e tua gjithmonë para sysh i kam.

17Rindërtuesit e tu po vrapojnë, rrënuesit e shkatërruesit po ikin prej teje.

18Çoji përreth sytë e tu e shiko, të gjithë po bashkohen e po vijnë te ti! “Pasha jetën time - është fjala e Zotit - të gjithë këta do t’i veshësh si stoli, porsi nusja do të ngjeshesh me ta!”

19Po se rrënojat e tua, shkatërrimet e tua, o vend i përmbysur: tashti i ngushtë do të jesh për banorët edhe kur këmbëve t’ua mbathin ata që të përpinin!

20Përsëri do të të thonë në veshë bijtë që t’i kishin rrëmbyer: “Tepër i ngushtë është ky vend për mua, më bëj vend që të mund të banoj!”

21Atëherë ti do të thuash në zemër: “Po këta prej kujt më lindën? Isha e rrëmbyer e barkshuar, e humbur dhe e robëruar? Po këta kush i rriti? Ja, unë isha e lënë vetëm, këta atëherë në çvend ishin?”

22Kështu thotë Zoti Perëndi: Ja, drejt popujve do ta lartësoj dorën time, drejt fiseve do ta lartësoj flamurin tim, npërqafim do ti sjellin bijtë e tu, bijat e tua do ti mbajnë mbi supe.

23Mbretërit do të jenë kujdestarët e tu, princeshat mëndeshat e tua. Me fytyrë për dhe do të të përkulen, do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua! Atëherë do ta dish se unë jam Zot: s’do të turpërohen, jo ata që shpresojnë në mua.

24Vallë, a mund ti merret preja të fortit, o të shpëtojë ç’shtiu në dorë i forti?

25Sepse kështu thotë Zoti: E pra, nga i forti do të merret robi, e ç’u shtie në dorë prej të fortit, do të çlirohet! Paditësit e tu unë do t’i përballoj, bijtë e tu unë do t’i shpëtoj!

26Të hanë mishin e vet do ti bëj ndrydhësit e tu, si me musht do të dehen me gjak të vet. Atëherë çdo njeri do ta kuptojë se unë jam Zoti, Shëlbuesi yt, Ai që të shpërblen, i Pamposhturi i Jakobit!