Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 5

Kënga e vreshtit, Mallkimet, etj.

30 vargje

Kënga e vreshtit

1Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër pjellore.

2E thuri, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në mes të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin. Priste se do t’i bënte rrush, por i bëri vetëm larushk.

3Tani, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim.

4Ç’u desh tjetër të bëj për vreshtin që s’e bëra? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më bëri veç larushk?

5Juve tani po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do tà shthur gardhin e tij, që të bëhet djerr do trrëzoj ledhet e tij që të shkelmohet.

6Le të mbesë shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve unë do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos bjerë.

7Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, dhe ja, vetëm paudhësi, drejtësinë prita, ja ofshamat!

Mallkimet

8Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi kush i shton arës i shton arë deri në skaj të vendit! A thua ju të vetmit do të jetoni këtu mbi dhe?

9Këtë be e bëri në veshët e mi Zoti i Ushtrive: “Me siguri shkretë do të mbesin shumë shtëpi, të mëdha e të bukura, por pa banorë.”

10Sepse dhjetë ditarë vreshta do të japin veç një vozë verë, tridhjetë babune farë do të qesin veç tri babune.

11Mjerë ata që në mëngjes herët vrapojnë pas pijeve dehëse dhe pinë natën deri vonë, prej verës të përvëluar.

12Harpa e kitara, lodra e fyej në gosti me verë, s’janë në kujdes për veprim të Zotit as si shikojnë veprat e duarve të tij.

13Këndej populli im do të çatdhesohet për arsye se mend nuk kanë, urie bujarët do të vdesin, etja turmat do t’i djegë.

14Po, Nëntoka e hapi grykën, vesh më vesh e çeli gojën, do të bien në të bujarë e popull, ajka e gëzimi i Jerusalemit!

15Do të përulet njeriu, do të përvujtërohet burri, do të përulen të krenarëve sytë.

16Do të lartësohet Zoti i Ushtrive në gjyq, Hyji i shenjtë shenjt do të dëftohet me zbatimin e drejtësisë.

17Qengjat rëndom do të kullosin si nëpër livadh që u përket, kurse të huajt do të hanë, në gërmadhat e të pasurve.

18Mjerë ata që e zvarrisin të keqen me konopët e padrejtësisë edhe mëkatin si mashkullin e qerrit,

19ata që thonë: “Le të shpejtojë, vrik ta kryejë veprën e vet që ta shohim; le të nxitojë e le të vijë synimi i Shenjtit të Izraelit që ta njohim!”

20Vaj për ata që të keqen e quajnë të mirë e të mirën të keqe, që terrin e mbajnë për dritë e që dritën e mbajnë errësirë, që të idhtën e mbajnë për të ëmbël e të ëmblën e mbajnë për të idhtë!

21Mjerë ata që në sytë e vet e mbajnë veten se janë të urtë, që për të mençur e çmojnë veten!

22Mjerë ata që janë trima për të pirë verë, të parët për të përzier pije të forta,

23që për dhurata e shfajësojnë të shtrembëtin e të drejtit ia mohojnë të drejtën!

24Prandaj, sikurse gjuha e zjarrit e djeg kashtën, edhe zjarri e djeg bykun ashtu do të kalbet rrënja e tyre, e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri, sepse e flakën Ligjin e Zotit të Ushtrive, blasfemuan fjalën e Shenjtit të Izraelit.

Zemërimi i Zotit

25Prandaj shpërtheu zemërimi i Zotit kundër popullit të tij dhe ai e çoi dorën e vet kundër tij dhe e goditi kështu që u tundën malet: rrafsh mbuluan tokën kufomat e tyre porsi plehu nëpër rruga. Mirëpo, s’u shua hidhërimi i tij, gjithnjë dorën e mban lart.

Pushtimi asirian

26Ai ngriti shenjën e luftës popullit të largët, i fërshëlliu në skajin e botës, fluturimthi, ja, po vjen!

27Një ndër ta s’është i mekur, i lodhur, as nuk kotet as s’i vjen gjumë, nuk zgjesh brez as nuk zbath sandale.

28Shigjetat e tij janë të mprehta, harqet të tendosur, gurgacë janë thundrat e kuajve të tyre, rrotat e qerreve të luftës si stuhia e thellimit!

29Ulërima e tij si ulërimë luani: ulërin si këlyshët e luanit, kërcëllon dhëmbët, prenë e rrëmben, në vend të sigurt e vendos askush kthetrash s’mund t’ia nxjerrë.

30Do të shungllojë mbi të, si shun’g’llon deti. Shikon vendin: errësirë, ngushticë, dritën e mbulon errësira!