Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 6

2. LIBRI MBI EMANUELIN, Thirrja e Isaisë

13 vargje

2. LIBRI MBI EMANUELIN

Thirrja e Isaisë

1Në vitin e vdekjes së mbretit Ozi, e pashë Zotin duke ndenjur në një fron të lartë e të madhërishëm. Kindat e petkut të tij e mbushnin Tempullin.

2Serafinët qëndronin në këmbë afër tij; secili kishte nga gjashtë krahë: me dy mbulonin fytyrën e vet, me dy mbulonin këmbët e veta dhe me dy fluturonin.

3I brohoritnin njëri-tjetrit: “Shenjt! Shenjt! Shenjt Zoti i Ushtrive! Plot është toka mbarë me Lavdinë e tij!”

4E u dridhën pragjet e shtatkave të dyerve nga zëri shungullues dhe Shtëpia u mbush me tym.

5Unë thashë: “I mjeri unë, tani sharrova, sepse jam njeri me buzë të papastra, banoj në popull buzësh të papastra, e me sytë e mi e pashë Mbretin, Zotin e Ushtrive!”

6Atëherë njëri nga serafinët vrapoi drejt meje: në dorë kishte një gacë që e mori me mashë nga lteri;

7Me të ma preku gojën e më tha: “Ja, me gacë i preka buzët e tua, mëkati yt u shlye, faji yt u fal!”

8Atëherë e dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj? Kush do të na shkojë?” Unë u përgjigja: “Ja, ku më ke, çomë mua!”

9Ai tha: “Shko e thuaj këtij populli: ‘Mirë dëgjoni, por gjë mos kuptoni, mirë shikoni, por gjë mos njihni!’

10Bëje të trashë zemrën e këtij “mileti”, shurdhoja veshët, verboja sytë, që të mos shohë me sytë e vet, të mos dëgjojë me veshët e vet, të mos kuptojë me zemrën e vet e të mos kthehet dhe të mos shërohet!”

11Unë pyeta: “Deri kur, o Zot?” Ai u përgjigj: “Derisa të mbesin shkretë qytetet pa banorë, shtëpitë pa njeri e toka të lihet djerr.”

12Gjinden Zoti larg do ta tresë e do të jetë shkretëtim i madh në vend,

13po edhe e dhjeta pjesë që në të do të mbesë përsëri do t’i dorëzohet vrasjes, do të pritet si terebinti e qarri, të cilëve s’u shpëton tjetër, pos cungut. Cungu i mbetur farë do të jetë e shenjtë.