Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 7

Qortimi i parë i Isaisë, Qortimi i dytë Akazit. Emanueli shenjë, etj.

25 vargje

Qortimi i parë i Isaisë

1Në ditët e Akazit, të birit të Joatamit, të birit të Ozisë, mbretit të Judës, u çua Rasini, mbreti i Sirisë dhe Faceu, i biri i Romelisë, mbreti i Izraelit, dhe morën rrugën drejt Jerusalemit për ta sulmuar por nuk mundën ta pushtojnë.

2Atëherë i çuan këtë lajm shtëpisë së Davidit: “Sirianët ngulën fushimin në Efraim.” Atëherë zemra e Akazit e zemra e mbarë popullit u dridh siç dridhen pemët e pyllit kur fryn era.

3Atëherë Zoti i tha Isaisë: “Ti e yt bir Seariasubi dilni para Akazit në skaj të ujësjellësit të ujëmbajtësit të sipërm në udhën e Arës së Rrobalarësit.

4Thuaj kështu: Ki kujdes, mos u shqetëso! Mos druaj e të mos trembet zemra jote prej këtyre dy urëve me tym, prej flakës së zemërimit të Rasinit të Sirisë e prej birit të Romelisë,

5pse Siria, Efraimi e biri i Romelisë kanë vendosur të të shpartallojnë e thonë:

6Të sulemi kundër Judës, t’ia shtiem frikën, ta pushtojmë e ti vëmë për mbret të birin e Tabeelit.

7Kështu thotë Zoti Hyj: “Kjo s’do të ndodhë! Kështu s’do të jetë!

8Kryet e Sirisë është Damasku e kryet e Damaskut është Rasini! Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet e Efraimi s’do të jetë më popull.

9Kryet e Efraimit është Samaria, e kryet e Samarisë është biri i Romelisë. Nëse s’do t’më besoni, nuk do të shpëtoni!”

Qortimi i dytë Akazit. Emanueli shenjë

10P ërsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha:

11”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”

12Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!”

13Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?

14Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!

15Do të ushqehet me mazë e me mjaltë derisa të mësojë ta flakë të keqen e të zgjedhë të mirën.

16Sepse, para se djali të arrijë të mësojë të flakë të keqen e të zgjedhë të mirën, do të mbetet shkret vendi, dy mbretërit të cilët ti i ke frikë.

17Zoti do të sjellë mbi ty, mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e babait tënd ditë që nuk u panë që kur Efraimi u nda nga Juda - mbretin e asirianëve.”

Parakallëzim i një pushtimi

18“E do të ndodhë atë ditë: Zoti do t’u fërshëllejë mizave që janë përtej brigjeve të lumenjve të Egjiptit edhe bletëve që janë në viset e Asurit

19dhe do të vijnë e do të pushojnë në luginat plot gremina, në shpellat e qetave, në të gjitha ferrishtat e në të gjitha kullosat.

20Atë ditë Zoti do të rruajë me brisk rrues të huajtur përtej Lumit - me anë të mbretit të asirianëve -, koka e qime këmbësh, po edhe mjekrrën do ta rruajë e stërruajë!

21Atë ditë do të ndodhë: njeriu do të mbajë nga një lopë e dy dele

22e, në saje të mbushullisë së qumështit, me mazë do të ushqehet; e vërtet, do të ushqehet me mazë e me mjaltë secili që do të shpëtojë gjallë në vend.

23Atë ditë: ku ishin një mijë hardhi që vlenin një mijë sikla të argjendta, ferra e halluga do të bëhen!

24Do të hyjnë në të të armatosur me shigjetë e hark, sepse hallugë e ferrë mbarë vendi do të bëhet.

25Të gjitha të mihura me bel askush s’do t’i përshkojë prej frikës së ferrave e të murrizit. Do të bëhen kullota gjedhësh, vend i rrahur prej bagëtish.”