Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 52

Populli në robëri, Zgjimi i Zotit dhe i Jerusalemit, etj.

15 vargje

1Zgjohu, zgjohu, ngjeshu me fuqinë tënde, Sion, veshi petkat ku i ke më të bukurat, Jerusalem, qyteti i shenjtë, sepse nëpër ty kurrë më nuk do të kalojë i parrethprerë e i papastër!

2Shkunde pluhurin, ngrihu, o Jerusalem i skllavëruar; flaki vargonjtë e qafës sate, e skllavëruara bijë e Sionit!

Populli në robëri

3Po, kështu thotë Zotynë: “Për asgjë ju qetë shitur, pa parà edhe do të shpërbleheni!”

4Sepse Zoti Hyj kështu thotë: Populli im dikur pat zbritur në Egjipt për të banuar atje si i huaj; pastaj asirianët pa arsye e ndrydhën rëndë.

5E tashti çkërkoj unë këtu - thotë Zoti - kur mua populli më qe marrë kot? Ulërijnë pushtuesit e tij - përsërit Zoti - e emri im gjithnjë vazhdon të blasfemohet.

6Këndej atë ditë populli im do ta njohë emrin tim se jam unë ai që thotë: “Këtu jam unë!”

Zgjimi i Zotit dhe i Jerusalemit

7Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin, që i thotë Sionit: Perëndia jote mbretëron!

8Dëgjo! Rojet e tua me të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion!

9Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jerusalemit, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet, po e shpërblen Jerusalemin!

10Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

11Dilni, dilni prej andej, mos prekni gjë të papastër! Dilni, dilni prej mesit të saj e pastrohuni ju që mbartni enët e Zotit!

12Sepse s’do të dilni duke shpejtuar dhe s’do të nguteni si ata që ikin, sepse Zoti do t’ju prijë Hyji i Izraelit do t’ju mbajë të bashkuar.

Kënga e katërt për Shërbëtorin e Zotit

13Ja, Shërbëtorit tim për së mbari do ti shkojnë punët, do të nderohet, do të lartësohet, do të jetë tejet i madhërishëm!

14Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë - kaq e shëmtuar ishte pamja e tij, - fytyra e tij s’ishte më si e njeriut, aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit -

15po ashtu mbi Të do të mbesin të habitura turmat e popujve, edhe mbretërit do të mbesin gojëhapur, sepse do të shohin atë për çka s’ka qenë treguar e do të kuptojnë atë për çka skishin dëgjuar.