Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 54

Jerusalemi i ardhshëm, Dashuria e Zotit, etj.

17 vargje

Jerusalemi i ardhshëm

1Galdo, beronjë, ti që nuk linde, shpërthe në hare, gëzo, ti që fëmijë s’linde sepse më të shumtë janë bijtë e të lënës se të asaj që e ka burrin - thotë Zoti.

2Zgjeroje vendin e tendës sate, shtrij pa kursim pëlhurat e banesës sate, zgjati litarët e tu, forcoji hunjtë e tu,

3sepse do të shtrihesh djathtas e majtas, fara jote do t’i marrë trashëgim popujt, do ti popullojnë qytetet e lëna shkretë.

Dashuria e Zotit

4Mos ki frikë, sepse nuk do të jesh e turpëruar, mos u skuq, sepse nuk do të jesh e çnderuar, sepse do ta harrosh marren e rinisë sate, më s’do ta kujtosh çnderimin e vejërisë.

5Sepse Krijuesi yt do të jetë fati yt, emri i tij është Zoti i Ushtrive; Shpërblyesi yt Shenjti i Izraelit, Ai quhet Hyji i mbarë tokës,

6Sepse si një grua të lënë që vuan në shpirt të thirri Zoti: ‘Gruaja e vjetëve të rinisë a mund të përbuzet?’ ka thënë Hyji yt.

7Për pak kohë të lashë, por po të rimarr me dashuri të madhe.

8Në momentin e zemërimit e fsheha pakëz prej teje fytyrën time, por me dashuri të amshuar pata dhimbje për ty, tha Zoti Shpërblyesi yt.

9Tashti është për mua si në ditët e Noehit, kur u përbetova se ujërat e Noehit më nuk do të vërshojnë tokën, po ashtu u përbetova se më nuk do të të hidhërohem e nuk do të të kërcënohem.

10Malet mund të zhduken, kodrat mund të tranden, porse dashuria ime s’do të zhduket prej teje as besëlidhja e paqes sime nuk do të trandet, thotë Zoti që pati mëshirë për ty.

Jerusalemi i ri

11Varfanjakja ime, stuhish e rrahur, e pa farë ngushëllimi, ja, në vend të gurëve do të vë karbunkull, e themelet do t’i qes mbi safirë.

12Pirgjet e tua prej jaspisit, dyert e tua gurësh të paçmueshëm, muret rrethuese të tuat gurë stolie!

13Të gjithë bijtë e tu do të jenë nxënës të Zotit e madhe do të jetë lumturia e bijve të tu.

14Do të jesh i themeluar në drejtësi, larg do të jesh nga ndrydhja, s’do të kesh pse të trembesh, larg nga frika, sepse s’do të afrohet.

15Shih! Nëse do të ndodhë ndonjë sulm, s’do të jetë prej meje. Kush të të sulmojë, para teje do të rrëzohet.

16Shih! Unë e krijova farkëtarin që fryn mbi prush dhe prodhon vegla për punën e vet, porse krijova edhe shkatërruesin për të shkatërruar.

17S’do të ketë sukses asnjë armë e farkuar kundër teje. Do të dënohet çdo gjuhë që do të ngrihet kundër teje në gjyq. Ky është fati i shërbëtorëve të Zotit, e tillë është drejtësia e tyre nga ana ime - thotë Zoti.