Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 56

III. PJESA E TRETË E LIBRIT TË ISAISË, Zoti pranon të gjithë popujt, etj.

12 vargje

III. PJESA E TRETË E LIBRIT TË ISAISË

Zoti pranon të gjithë popujt

1Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e svonon të dëftohet drejtësia ime.”

2I lumi ai që bën kështu, biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që e mban të shtunën e nuk e çnderon, që e ruan dorën e vet nga çdo vepër e keqe.

3Biri i ardhacakut që iu mbështet Zotit assesi të mos thotë: “Patjetër Zoti do të më ndajë nga populli i vet!”, as eunukut të mos i shkojë në mend të thotë: “Ja, unë s’jam tjetër, veçse një dru i thatë!”

4Sepse kështu u thotë Zoti eunukëve: “Ata që i mbajnë të shtunat e mia, që zgjedhin të bëjnë çka mua më pëlqen, që e zbatojnë besëlidhjen time,

5do tu jap në Shtëpinë time e në muret e mia një vend e një emër më të mirë se të kishin bij e bija: do t’u jap një emër të përhershëm që kurrë s’do të mbarojë.

6Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time,

7do ti shpie në Malin tim të shenjtë dhe do ti gëzoj ata në Shtëpinë e lutjes sime: flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse Shtëpia ime do të quhet Shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.”

8Kështu thotë Zoti Hyj, ai që i bashkon izralitët e shpërndarë: “Rreth Izraelit do të mbledh edhe më shumë të tjerë përveç atyre që tashmë janë mbledhur!”

Padenjësia e krerëve

9Ju, o egërsirat e fushës, ejani të gjitha për të ngrënë, të gjitha ju, o egërsirat e pyllit,

10sepse të gjitha rojet janë të verbëra, të gjithë sa janë asgjë nuk dinë! Të gjithë janë qen të pagojë, që s’janë të zotë të lehin, të pamendë, të shtrirë, që u pëlqen të flejnë,

11e pra janë qen përlugëtues, që s’dinë të ngihen. E të tillë janë barinjtë! Gjë vesh nuk marrin, secili endet udhës së vet, secili shikon vetëm interesin e vet, prej më të madhit e deri te më i vogli!

12“Ejani, do të sjell verë, të pimë e të trullosemi, edhe nesër do të jetë si sot, madje edhe shumë më tepër!”