Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 57

Vajtim kundër idhujtarisë, Kënga e ngushëllimit

21 vargje

1I drejti sharron e askush sshqetësohet; njerëzit e mirë zhduken e askush s’kujtohet se i drejti zhduket për shkak të së keqes.

2Ai hyn në paqe; pushon në shtrojën e vet ai që ecën udhës së drejtë.

3Afrohuni këtu, o bij të shortares, bijtë e pushtit e të lavirës!

4Kë mendoni të vini në shpoti? Kujt ia ngërdheshni buzët e i qitni gjuhën? Pse a s’jeni bami i mbrapshtë, pjellë rrenacake?

5Ju që ndizeni flakë ndër hala, nën çdo lëndë të gjelbëruar e i flijoni fëmijët në lugina, në zgavrra qetash!

Vajtim kundër idhujtarisë

6Pjesa jote është në krahinat e luginës, ato janë shorti yt, atyre ti u bëre flinë e njomjes, therore u kushtove! Vallë, a me to unë do të ngushëllohem?

7Mbi mal të lartë, shumë të lartë, e vendose shtratin tënd dhe atje u ngjite fli të kushtosh.

8Pas dere e pragu e vure shenjën përkujtuese tënden, sepse larg meje e zbulove, re në shtrat dhe e hape shtratin tënd; me to lidhe besëlidhje, t’u pëlqye shtrati i tyre, me to bëre lavirësi.

9Hyre te mbreti me erëra të mira, s’i kurseve erërat e mira; larg i nise kasnecët e tu e u përule deri në ferr.

10Në një rrugë të tillë ti u lodhe e u këpute, por nuk the: “Punë e kotë!” I gjen fuqi ti dorës sate e prandaj nuk u ligështove.

11Për kë shqetësohesh e trembesh, që të rresh e mua të më harrosh dhe as ndër mend të mos të të bjerë për mua? Vallë, pse heshta për kohë të gjatë, ti nuk më trembesh?

12Por unë do ta shpall “drejtësinë” tënde e veprat e tua që gjë s’do të të ndihmojnë.

13Kur të kushtrimosh, le të shpëtojnë idhujt e tu. Por ata era do t’i marrë, do t’i tresë një puhi e lehtë. E ai që shpresën e ka në mua do ta trashëgojë Tokën, pronë do ta ketë Malin tim të shenjtë.

Kënga e ngushëllimit

14Do të thuhet: “Shtroni, shtroni, gati bëjeni udhën, largoni pengesat nga udha e popullit tim!”

15Sepse kështu thotë i Larti, i Tejetlarti, që fronin e ka të amshueshëm, e emrin e ka të shenjtë: “Banoj në vend të lartë e të shenjtë, por jam edhe me të ndrydhurin dhe me atë që është i përvujtëruar në shpirt, për ti dhënë jetë shpirtit të të përvuajturve, për t’i dhënë jetë zemrës së të ndrydhurve.

16Sepse nuk dua vazhdimisht të grindem as s’dua përgjithmonë të hidhërohem, sepse para meje do të mbaronte fryma, do të zhdukeshin qeniet e gjalla që i bëra.

17Për shkak të horrjatisë së tij u zemërova, e godita dhe e fsheha fytyrën time dhe kundër tij u hidhërova, e ai u end udhës së zemrës së vet.

18I pashë udhët e tij, por do ta shëroj e do ta kthej, do ta ngushëlloj atë dhe ata që qajnë bashkë me të.

19Do të vë fjalët e lavdit në buzët e tij. Paqe, paqe për atë që është larg e afër, thotë Zoti, dhe do ta shëroj.”

20Të paudhët janë porsi deti me valë që nuk di të qetësohet, valët e të cilit lym e baltë vjellin.

21Thotë Hyji im: “S’kanë paqe të paudhët!”