Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 58

Agjërimi i pëlqyer prej Hyjit, Njinesa e pëlqyer prej Hyjit, etj.

14 vargje

Agjërimi i pëlqyer prej Hyjit

Njinesa e pëlqyer prej Hyjit

1Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd! Shpallja popullit tim fajet e tij, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.

2Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t’i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit.

3“Pse të agjërojmë, kur ti nuk na shikon, pse ta përulim shpirtin tonë, nëse ti se di?” Ja, në ditën e agjërimit tuaj ju gjeni punë dhe i mbytni në punë të gjithë punëtorët tuaj.

4Ja, ju njinoni për tu fjalosur e grindur, e rraheni me grushte si të patenzonë. Mos agjëroni më si sot, nëse doni të dëgjohet zëri juaj këtu lart.

5Pse, a i tillë është agjërimi që unë zgjodha, dita kur njeriu bën vetëmohim? Të ulësh porsi zunkthi kokën tënde, të shtrosh grathore edhe hi? A thua këtë do ta quash agjërim e ditë që i pëlqen Zotit?

6Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë?

7A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin, ti shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.

8Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

9Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!” Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe,

10nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.

11E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat.

12Populli yt do ti rindërtojë rrënojat e vjetra, do t’i rindërtosh themelet e lëna brezni e brezni: do të quhesh: “Rindërtues i rrënojave, Ripërtëritës i rrugëve der në banim.”

E shtuna

13Nëse do ta ruash këmbën të mos e shkelësh të shtunën, dhe në ditën time të shenjtë nuk do të punosh, nëse do ta çmosh për kënaqje të shtunën, të ndershme ditën e shenjtë të Zotit, do ta nderosh duke mos udhëtuar, duke mos kryer punët e tua e marrëveshjet,

14atëherë në Zotin do ta gjesh kënaqësinë tënde; në karrocë do të të shëtis mbi malet e dheut, do të bëj ta gëzosh pronën e atit tënd Jakobit, sepse kështu foli goja e Zotit.