Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 62

Kënga e dytë mbi ngjalljen e Jerusalemit, Përfundimi

12 vargje

Kënga e dytë mbi ngjalljen e Jerusalemit

1Për shkak të Sionit unë nuk do të hesht, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim derisa drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba!

2Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit.

3Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd.

4Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar.

5E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt.

6Mbi muret e tua, o Jerusalem, i kam vënë rojtarët; as ditën as natën, kurrë s’duhet të heshtin: O ju, që Zotit ia përkujtoni premtimet, vetë mos pushoni

7e as Atë mos e lini të qetë derisa ta përtërijë Jerusalemin, ta ketë bërë Nderin e botës.

8U përbe Zoti në të djathtën e vet e në fuqinë e krahut të vet: “Drithin tënd kurrë më sua dhashë për ushqim armiqve të tu, kurrë më të huajt s’do ta pinë verën që e prodhove me djersën tënde!

9Le ta hanë ata që e korrën e të lavdojnë Zotin; ata që e volën le ta pinë në paraderën e Shenjtërores sime!”

Përfundimi

10Kaloni, kaloni nëpër derë, bëjini udhë popullit! Shtroni, shtroni rrugën, herrni gurët, valëvitni para popujve flamurin!

11Ja, çka Zoti bën të dëgjohet deri në skajet e tokës: “Thuajini bijës së Sionit: Ja, po vjen shpëtimtari yt, ja, me vete e ka shpërblimin e dhurata e tij përpara tij.

12Do ti quajnë “Popull i shenjtë” “Të shpërblyerit e Zotit”, kurse ti do të quhesh: “I kërkuari”, - Qytet i palëshuar!”