Të gjithë kapitujt

Isaia · Kapitulli 64

Këngë apokaliptike, Psalmi (2)

11 vargje

1sikurse zjarri që i djeg krandet, dhe ujin e bën të vlojë - që armiqtë e tu t’i bësh ta njohin emrin tënd. Para fytyrës sate paganët do të dridhen

2kur të bësh mrekulli që ne nuk i shpresonim. Ti zbrite e para Fytyrës sate malet u dridhën!

3Qëkur ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, që një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të.

4U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim.

5Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastërti, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era.

6S’është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë.

7Megjithatë, ati ynë je, ti o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua.

8Deh për së tepërmi, Zot, mos u zemëro, mëkatet më mos i kujto! Ja, na shiko: të gjithë jemi populli yt!

9Shkretë kanë mbetur qytetet e tua të shenjta, Sioni mbeti i shkretë, u shkatërrua Jerusalemi!

10Tempulli ynë i shenjtë e i bukur, ku të lëvdonin etërit tanë, kafshatë u bë e zjarrit, Ç’patëm të çmueshme, gjithçka u shkatërrua!

11Edhe pas të gjitha këtyre, ti o Zot, a do të përmbahesh, a do të heshtësh, deri në fund a do të na mundosh?!