Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 10

Idhujt dhe Hyji i vërtetë, Tmerr në vend, etj.

25 vargje

Idhujt dhe Hyji i vërtetë

1Dëgjojeni fjalën që jua drejton Zoti juve, o shtëpia e Izraelit:

2Kështu thotë Zoti: “Mos i bëni tuajat zakonet e paganëve, frikë mos kini nga shenjat e qiellit, sepse prej tyre tremben vetëm paganët,

3sepse ritet e paganëve janë një asgjësi, një dru që pritet në pyll, vepër e dorës së mjeshtrit që e laton me sëpatë,

4e stolis me argjend e me ar, e forcon me gozhda e me çekiç që të mos luajë vendit.

5Janë si surrati që vihet në bostan e që s’mund të flasë, duhet të mbarten se të ecin nuk munden: pra, frikë mos i kini se s’mund të bëjnë as keq as mirë!”

6Jo, s’janë si ti, o Zot, sepse ti je i madhërueshëm, i madh është pushteti i emrit tënd!

7Kush ty të mos të të druajë, o mbreti i popujve?! Vërtet kjo të takon ty, sepse ndër të gjithë të dijshmit e popujve, ndër mbarë mbretëritë e tyre, asnjë s’mund të krahasohet me ty.

8Njëkohësisht janë të pamend e të marrë, mësimi i tyre i kotë - dru e thjeshtë,

9argjend i përpunuar që sillet nga Tarsisi edhe ar prej Ofazit, vepër mjeshtri dhe duarsh argjendari, petkat e tyre pëlhure të kuqe e të purpurt: të gjitha këto vepër e duarve të mjeshtrit!

10Kurse Zoti është Hyj i vërtetë, Ai është Hyj i gjallë, Mbret i amshueshëm; kur ai zemërohet, tundet mbarë toka, ballë s’mund t’i bëjnë popujt zemërimit të tij!

11Ja, se çka duhet të thoni për ta: “Zotat që nuk e krijuan qiellin e tokën, le të zhduken nga faqja e dheut e nën qiell!”

12Ai me fuqinë e vet i dha trajtë tokës, me urtinë e vet të qëndrueshme e bëri botën, me dijen e vet qiellin e shtriu.

13Me zërin e vet bën të grumbullohen ujëra të shumtë në qiell dhe i ngrit retë nga skajet e tokës, bën që vetëtimat të shpërthejnë në shi, e nxjerr erën nga strofujt ku e ndryen.

14Shtang mbetet çdo njeri, s’është në gjendje të kuptojë, turpërohet çdo argjendar për truporen e vet, sepse është e rreme ajo që ka shkrirë, sepse në të frymë jete s’ka.

15Janë një kotësi, vepra qesharake, ditën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.

16Jo, s’është e tillë “Pjesa e Jakobit”: sepse Ai e ka trajtuar gjithësinë, Izraeli është fisi i trashëgimit të tij, emri i tij është Zoti i Ushtrive. Tmerr në vend

Tmerr në vend

17Mblidh nga vendi plaçkat e tua, ti që banon në rrethim,

18sepse kështu thotë Zoti: “Ja, larg do t’i flak kësaj herë banorët e vendit ngushtë do t’ua çoj që të dinë të më gjejnë!”

19I mjeri unë për varrën time, për plagën time të pashërueshme! E mua më thoshte mendja: ‘Është vetëm një dhimbje që mund ta duroj!’

20Tenda ime është shkatërruar, janë copëtuar litarët e saj, fëmijët më shkuan, më nuk janë, s’ka kush as çadrën të ma ngrehë, t’i shtrijë pëlhurat e saj!

21Sepse marrëzisht vepruan barinjtë të lumin Zot nuk e kërkuan, prandaj punët nuk po u shkojnë mbarë, të gjitha grigjat u shpërndanë.

22Dëgjojeni lajmin! Ja, ç’po ndodh! Poterë e madhe po na vjen nga toka e Veriut qytetet e Judës për t’i shndërruar, në shkretëtirë, strofull çakejsh! Lutja e Jeremisë

Urata e Jeremisë

23E di, o Zot, që s’është në dorë të njeriut udha e tij, që s’është i zoti ai që ecën që t’i drejtojë hapat e vet.

24Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë, jo me zemërim që të mos më zhdukësh!

25Zbraze zemërimit tënd mbi popuj që nuk të pranojnë e mbi fise që s’e thërrasin emrin tënd, sepse gjallë e përpinë Jakobin, e përlanë, krejtësisht e shqimën, e shkretuan lagjen e tij.