Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 14

Thatësira e madhe, Të thatët e madh

22 vargje

Thatësira e madhe

Të thatët e madh

1Fjala e Zotit që i qe drejtuar Jeremisë me rastin e thatësirës së madhe.

2Judeja u mbulua në zi, qytetet e saj rënkojnë, të mekura rrafsh ranë përdhe, në qiell arrin e Jerusalemit vigma!

3Bujarët çojnë vegjëlinë për ujë: shkojnë ndër puse e ujë nuk gjejnë, zbrazët i kthejnë shtambat e veta duke rrahur kokën me grushta.

4Anembanë toka shkretuar, sepse shiu nuk bie mbi të, mjeruar bujqit e ngratë me grushta e rrahin kokën.

5Deri shuta në mal e lë pjellën e vet, pse fije bari s’ka.

6Gomarët e egjër grumbull mblidhen në kodra, dihasin porsi çakejtë, as sytë dritë më nuk u bëjnë, pse s’gjejnë dot një fije bari.

7Kundër nesh nëse flasin të këqijat tona, mëshirë, o Zot, pash Emrin tënd. Po, të mëdha janë kryengritjet tona, kundër teje ne mëkatuam!

8Ti, o Shpresa e Izraelit, Shpëtimtari i tij në kohë të vështirë, pse qëndron si i huaj në këtë vend, si shtegtari sa për të bujtur?

9Pse sillesh porsi i hutuari, si trimi që s’mund të ndihmojë? E pra, mes nesh ti je, o Zot, emri yt u thirr mbi ne, deh, ti dore mos na lësho!

10Kështu i thotë Zoti këtij populli: “Atyre kështu u pëlqen të enden andej-këndej, aspak nuk i kursejnë këmbët e veta! Këndej edhe Zotit nuk i pëlqejnë. Tashti i bien në mend fajet e tyre dhe i ndëshkon për mëkatet e tyre”.

11Atëherë Zoti më tha: “Mos kërko mëshirë për këtë popull.

12Po edhe sikur të agjëronin, s’do t’ua dëgjoja lutjen; po edhe në kushtofshin fli shkrumbimi dhe fli kushtimi, s’do t’ua pranoj. Unë do t’i shfaros me shpatë, me uri e me murtajë”.

13Por unë iu përgjigja: “Ehu, o Zot Hyj! Ja, profetët u thonë: ‘Ju s’do të shihni shpatë, uri s’do të keni, por do t’u japë paqe të vërtetë në këtë vend’“.

14Atëherë Zoti më tha: “Rrejshëm profetët profetizojnë në emër tim: unë nuk i dërgova as nuk i urdhërova, as nuk u kam folur. Ata ju parakallëzojnë vegime të rreme, shorti, dredhi e joshjet e zemrës së tyre.

15Prandaj kështu thotë Zoti kundër profetëve, që profetizojnë në emër tim, të cilët unë nuk i dërgova, e thonë: ‘Shpatë e uri nuk do të ketë në këtë vend’: Shpata dhe uria do t’i shfarosë pikërisht këta profetë;

16kurse njerëzit, të cilëve këta u profetizojnë, rrah do të bien nëpër rrugë të Jerusalemit prej urisë e prej shpatës e s’do ketë kush as t’i varrosë: as ata, as gratë e tyre, as bijtë e bijat e tyre. Do ta zbraz mbi ta të keqen e tyre.”

17E ti thuaju këtë fjalë: Le të derdhin lot sytë e mi natë e ditë e të mos pushojnë, sepse me ndrydhje të rëndë u ndrydh virgjëra, bija e popllit tim, me plagë të rëndë, të pashërueshme!

18Nëse dal në fushë, ja, të grirë prej shpatës, e nëse hyj brenda në qytet, kockë e lëkurë të bërë prej urisë: profet e prift enden n’për vend e më asgjë nuk marrin vesh.

19- Po a njëmend krejtësisht e përbuze Judën? Po a aq fort t’u neverit Sioni? Përse ne aq na godite, sa të mos kemi shpresë shërimi? Prisnim paqen, por të mirë s’ka, kohë shërimi dhe, ja, tmerri!

20E pranojmë, o Zot, paudhësinë tonë, mbrapshtinë e etërve tanë: po, mëkatuam kundër teje!

21Mos na dëbo, pash Emrin tënd, mos e turpëro fronin e lavdisë sate! Të të bjerë ndër mend e mos e prish Besëlidhjen tënde me ne!

22Pse a ka ndër idhuj ndonjë që jep shi? Pse vetë a qielli i jep shirat? Pse a s’je ti, o Zot, Hyji ynë, në të cilin ne shpresojmë?! Ti je Ai që të gjitha këto i bën!