Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 19

Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin

15 vargje

Vegshi i thyer dhe rragatja me Fasurin

1Kështu thotë Zoti: “Shko e bleje një katrovë argjile, merri disa vetë nga pleqtë e popullit e pleqtë e priftërinjve

2dhe shko në luginën Benenom, që është në hyrje të Derës së poçarëve. Atje shpalli fjalët që unë do të t’i them.

3Thuaj: Dëgjojeni fjalën e Zotit, mbretër të Judës e banorë të Jerusalemit! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po sjell mbi këtë vend një mjerim të tillë, saqë kushdo të dëgjojë për të, veshët do t’i ushtojnë.

4Sepse ata më kanë braktisur dhe e tëhuajën këtë vend duke u kushtuar zotave të huaj, të cilët nuk i kanë njohur ata vetë as etërit e tyre as mbretërit e Judës. E kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajshëmve.

5Ndërtuan lartësira për nder të Baalit për t’i djegur si fli shkrumbimi në nder të Baalit fëmijët e vet: çka unë kurrë nuk e kam urdhëruar, as s’e kam thënë as nuk më ka shkuar nëpër mend.

6Për këtë arsye, ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit - dhe ky vend nuk do të quhet më Tofet as Lugina Benenom, por Lugina e Vrasjes.

7Unë do ta çoj kotsynimin e Judës e të Jerusalemit në këtë vend. Do t’i bëj të sharrojnë prej shpatës ndër sy të armiqve të tyre me dorën e atyre që ua kërkojnë jetën. Kufomat e tyre do t’ua jap për ushqim shpendëve të qiellit e bishave të malit.

8Do ta kthej këtë qytet në shkretëtirë e në tallje, kushdo të kalojë nëpër të do të mbetet shtang nga habia e do të fërshëllejë mbi të gjitha plagët e tij.

9Do t’i bëj të hanë mishin e bijve e të bijave të veta. Njëri-tjetrin do ta hanë gjatë rrethimit e ngushticës, në të cilën do t’i mbyllin armiqtë e tyre dhe ata që kërkojnë t’ua marrin jetën.

10Atëherë thyeje katrovën në sytë e atyre burrave që do të vijnë me ty

11e thuaju: Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kështu do ta thyej këtë popull e këtë qytet, siç po thyhet ena e poçarit që më s’mund të ndreqet. Asohere edhe në Tofet do të varrosen, sepse s’do të ketë tjetër vend për të varrosur.

12Kështu do t’i bëj këtij vendi - thotë Zoti - dhe banorëve të tij. Këtë qytet do ta bëj të ngjashëm me Tofetin:

13Shtëpitë e Jerusalemit e shtëpitë e mbretërve të Judës do të jenë të papastërta porsi Tofeti: të gjitha shtëpitë, mbi pullazet e të cilave iu kushtua kem mbarë ushtrisë qiellore dhe u njomën fli njomjeje hyjnive të huaja”.

14Kur Jeremia u kthye nga Tofeti, ku e kishte dërguar Zoti të profetizojë, zuri vend në tremen e Shtëpisë së Zotit dhe i tha mbarë popullit:

15”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë qytet e mbi qytezat e tij të gjitha të këqijat, me të cilat i jam kërcënuar, sepse ngurën zverkun e vet e nuk i dëgjuan fjalët e mia”.