Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 20

Pjesë nga “Rrëfimet” e Jeremisë

18 vargje

Pjesë nga “Rrëfimet” e Jeremisë

1Prifti Fasur, biri i Emerit, mbikëqyrësi prijës në Shtëpinë e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke i profetizuar këto fjalë.

2Fasuri e rrahu Jereminë profet dhe e vuri në pranga, që gjenden te Dera e lartë e Beniaminit në Shtëpinë e Zotit.

3Të nesërmen, kur zbardhi drita, Fasuri e liroi Jereminë nga prangat, atëherë Jeremia i tha: “Jo më Fasur Zoti nuk e quan emrin tënd, por “Tmerr në çdo anë!”

4Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë po të të dorëzoj tmerrit, ty e të gjithë miqtë e tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre dhe ti do t’i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta lëshoj në duart e mbretit të Babilonit. Ai do t’i shpërngulë në Babilon dhe do t’i godasë me shpatë.

5Do ta jap mbarë pasurinë e këtij qyteti, tërë çka u fitua me mund, gjithçka ka të çmueshme edhe të gjitha visaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre, të cilët do t’i rrëmbejnë, do t’i marrin e do t’i tresin në Babilon.

6Kurse ty Fasur, me të gjithë anëtarët e familjes, do të ye shpërngulin. Në Babilon do të shkosh, atje do të vdesësh dhe atje do të varrosesh, ti e të gjithë miqtë e tu, të cilëve u profetizove gënjeshtrën”. Pjesë nga “Rrëfimet” e Jeremisë

7Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin.

8Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!” Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

9Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas! Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, u ndrye në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda!

10I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth: ‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’

11Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet!

12O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time!

13Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve.

14Qoftë mallkuar dita kur unë linda; dita kur më lindi nëna ime jo, mos qoftë bekuar!

15Qoftë mallkuar ai burrë që e lajmëroi tim atë: ‘Je bërë me djalë!’ dhe e mbushi me gëzim!’

16U bëftë ai njeri porsi qytetet, që Zoti i shkatërroi e askurrë s’u pendua. Në mëngjes ndjeftë kushtrimin e në mesditë rropamën e luftës,

17që s’më shitoi në barkun e nënës! Nëna ime do të më bëhej varr e barku i saj, shtatzënë përgjithmonë.

18Pse ndopak dola nga barku amnor? Që të heq keq e të vuaj e në turp të marrin fund ditët e mia!