Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 21

Përgjigjja të dërguarve të Sedecisë, Kundër shtëpisë mbretërore

14 vargje

Përgjigjja të dërguarve të Sedecisë

1Fjala që Zoti ia drejtoi Jeremisë, kur mbreti Sedeci i dërgoi tek ai Fasurin, birin e Malkisë, e priftin Sofoni, birin e Maasisë, me këto fjalë:

2“Pyete për ne Zotin, sepse Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, po lufton kundër nesh; se ndoshta Zoti bën në të mirën tonë ndonjë nga mrekullitë e shumta të tij, kështu që Nabukodonozori të largohet prej nesh.”

3Jeremia u përgjigj: “Kështu thuajini Sedecisë:

4Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ja, unë do t’i kthej armët e luftës, që i keni në duart tuaja e me të cilat po luftoni kundër mbretit të Babilonit e kaldenjve që po ju mbajnë në rrethim përjashta muresh; unë do t’i bashkoj në mes të këtij qyteti.

5Unë vetë do të luftoj kundër jush me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, zemërim e me hidhërim të madh

6dhe do t’i godas banorët e këtij qyteti - njerëz e kafshë: me murtajë të tmerrshme. Ata do të vdesin!

7E pastaj - është fjala e Zotit - unë do ta dorëzoj Sedecinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin e tij, që të kenë shpëtuar në këtë qytet nga murtaja, shpata e uria, në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në duar të armiqve të tyre që e kërkojnë jetën e tyre; ai do t’i godasë me teh të shpatës. S’do të ketë mëshirë, s’do të falë as s’do të ketë mëshirë!

8E këtij populli thuaji: Kështu thotë Zoti: Ja, para jush po e vë udhën e jetës e udhën e vdekjes:

9kush të qëndrojë në këtë qytet do të vdesë prej shpatës, urisë e murtajës; kurse ai që të dalë e të shkojë te kaldenjtë, që ju rrethojnë, do të jetojë, do ta mbajë veten për të lum se së paku e ka shpëtuar jetën.

10Sepse e kam sjellë fytyrën time mbi këtë qytet për të keqen e tij e jo për të mirën - është fjala e Zotit: unë do ta dorëzoj në duar të mbretit të Babilonit e ai do ta djegë”. Kundër shtëpisë mbretërore

Kundër shtëpisë mbretërore

11Shtëpisë mbretërore të Judës: Dëgjojeni fjalën e Zotit,

12shtëpia e Davidit! Kështu thotë Zoti: Gjykoni me drejtësi për çdo mëngjes e çlirojeni të ndrydhurin nga shfrytëzuesi, përndryshe do të shpërthejë si zjarr zemërimi im, flakë do të marrë e askush s’mund ta ndalë, për shkak të fajësisë së veprave tuaja.

13Ah, pritëm, banuesja e luginës, qeta e rrafshit - është fjala e Zotit - ju që thoni: ‘Kush do të na pushtojë? Kush guxon të hyjë në shtëpitë tona?’

14Do t’ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja - është fjala e Zotit - Në pyll të saj zjarr do të ndez: rreth e përqark gjithçka do të digjet!