Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 24

Dy kaçilet me fiq

10 vargje

Dy kaçilet me fiq

1Dhe, ja, Zoti më dëftoi dy kaçile plot me fiq të vëna para Tempullit të Zotit, pasi Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e treti Jehoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, nga Jerusalemi, bashkë me princat e tij, me mjeshtër e me farkëtarë dhe i çoi në Babilon.

2Njëra kaçile i kishte fiqtë shumë të mirë, siç janë fiqtë e hershëm, kurse kaçilja tjetër i kishte fiqtë e prishur, që s’mund të haheshin, sepse ishin të këqij.

3Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Jeremi?” Unë u përgjigja: “Fiq, fiq të mirë, shumë të mirë, edhe të këqij, shumë të këqij që nuk mund të hahen, sepse janë të këqij.”

4Atëherë fjala e Zotit më qe drejtuar e tha:

5”Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Sikurse për këta fiq të mirë, ashtu do të shikoj me kujdes për të mirën e të shpërngulurve të Judesë, të cilët i treta prej këtij vendi në tokën e kaldenjve.

6Me dhimbje do t’i prir sytë e mi mbi ta e do t’i kthej përsëri në këtë vend, do t’i ndërtoj e nuk do t’i rrënoj, do t’i mbjell e më nuk do të çrrënjos.

7Do t’u jap një zemër për të më njohur se unë jam Zoti; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre, sepse do të kthehen kah unë me gjithë zemrën e tyre.

8Por siç veprohet me fiqtë e këtij, që s’mund të hahen, pse janë të këqij, kështu thotë Zoti, ashtu do të veproj me Sedecinë, mbretin e Judës, e me princat e tij dhe me tepricën prej Jerusalemit, që qëndroi në këtë vend dhe me ata që banojnë në tokën e Egjiptit.

9Do t’i bëj të jenë tmerr e pikëllim për të gjitha mbretëritë e tokës, të jenë turp e përrallë e përqeshje e mallkim në të gjitha vendet ku do t’i tres.

10Mbi ta do të çoj shpatë, uri e murtajë derisa t’i kem zhdukur nga toka që ua dhashë atyre e etërve të tyre.”