Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 28

Grindje me profetin Ananì, Grindje me profetin Anani

17 vargje

Grindje me profetin Ananì

Grindje me profetin Anani

1Po atë vit, në fillim të mbretërisë së Sedecisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më tha Anania, biri i Azurit, profeti i Gabaonit, në Tempullin e Zotit ndër sy të priftërinjve e të mbarë popullit:

2”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: E copëtova zgjedhën e mbretit të Babilonisë!

3Edhe dy vjet e unë do të bëj të kthehen në këtë vend të gjitha enët e Shtëpisë së Zotit, që i pati marrë Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e i pati çuar në Babiloni.

4Po edhe Jekoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, me të gjithë të humburit e Judës, që i shpuri në Babiloni, do t’i kthej në këtë vend - është fjala e Zotit - sepse unë do ta copëtoj zgjedhën e mbretit të Babilonisë.”

5Atëherë profeti Jeremi iu përgjigj Ananisë profet, para syve të priftërinjve dhe ndër sy të mbarë popullit, që ishte në Shtëpinë e Zotit,

6dhe profeti Jeremi i tha: “Ashtu qoftë! Ashtu e bëftë Zoti! Dashtë i madhi Zot e i çoftë në vend gjërat që ti i parakallëzove, që të kthehen enët në Shtëpinë e Zotit edhe të gjithë të shpërngulurit të kthehen prej Babilonisë në këtë vend!

7Megjithatë, dëgjoje mirë këtë fjalë që po ta them në veshë të tu e në veshë të mbarë popullit:

8Profetët që qenë para meje e para teje, prej kohëve më të lashta, parakallëzuan kundër vendeve të shumta e mbretërive të mëdha luftë, vuajtje e murtajë;

9kurse për profetin që parakallëzon paqen, kur t’i plotësohet fjala, atëherë do të dihet se është profet, të cilin vërtet e ka dërguar Zoti.”

10Atëherë profeti Anani e hoqi prej qafës së profetit Jeremi zgjedhën dhe e theu.

11Atëherë foli Anania në sy të mbarë popullit e tha: “Kështu thotë Zoti: Kështu do ta copëtoj zgjedhën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, pas dy vjetësh prej qafës së të gjithë popujve.” Atëherë profeti Jeremi shkoi në punë të vet.

12Tashti, pasi profeti Anani e theu zgjedhën që e hoqi nga qafa e profetit Jeremi, fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë profet. I tha:

13”Shko e thuaji Ananisë: Kështu thotë Zoti: I theve zgjedhat e drunjta? Në vend të tyre do të duhet t’i punosh të hekurta!

14Sepse, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Zgjedhë të hekurt mbërtheva mbi qafën e të gjithë këtyre popujve që të bëhen skllevër të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë: dhe do të bëhen skllevërit e tij; për më tepër atij ia lashë në shërbim deri edhe egërsirat e malit!”

15Profeti Jeremi i tha profetit Anani: “Dëgjo, Anani! Zoti ty nuk të ka dërguar e ti bëre që populli ta besojë gënjeshtrën!

16Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po të dëboj nga faqja e këtij vendi; sivjet do të vdesësh, sepse ti ke predikuar kryengritjen kundër Zotit!”

17Po atë vit, në muajin e shtatë, vdiq profeti Anani.