Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 3

Kthimi, Izraeli i veriut i grishur për t’u kthyer, etj.

25 vargje

Kthimi

1Nëse një burrë e ndan gruan e vet dhe kjo, duke u larguar prej tij, martohet me një burrë tjetër, a ka të drejtë të kthehet përsëri tek ai? Vallë, a nuk është e përdhosur dhe e fëlliqur ajo tokë? E ti që u fëlliqe me dashnorë të shumtë, vallë a ke fytyrë të kthehesh tek unë?, - thotë Zoti.

2Lartësoji sytë e tu drejt kodrash e shih: a ka ndonjë vend ku nuk fëlligështove? Rrije në udhë duke i pritur porsi arabi në shkretëtirë. Ti e përdhose vendin më fëlligështinë e fajësinë tënde.

3Këndej dhe shirat u ndaluan dhe as të vjeshtës më nuk ranë. Balli yt ballë lavireje, as të skuqesh ti nuk dite!

4E tashti vallë a s’më thërret: ‘Ati im! ti je prijësi i rinisë sime!

5A gjithmonë do të jetë i hidhur? Zemërimi yt prapë do të qëndrojë?’ Ti kështu flet edhe vazhdon ta bësh të keqen dhe e tepron.” Izraeli i veriut i grishur për t’u kthyer

Izraeli i veriut i grishur për t’u kthyer

6Në ditët e mbretit Jozi Zoti më tha: “A pe se ç’bëri Felëshuesja - Izrael? Vetë shkoi mbi çdo mal të lartë e nën çdo dru të gjelbër bëri fëlligështi.

7Unë mendoja: ‘Pasi t’i ketë bërë të gjitha këto, do të kthehet tek unë’; por ajo nuk u kthye. Pa Juda, motra e saj e pabesë.

8Pa edhe se për shkak se bëri fëlligështi Felëshuesja Izrael, unë e lëshova dhe ia dhashë letërlëshimin dhe aspak s’u tremb e pabesa Judë, motra e saj, por shkoi e u bë lavire edhe ajo.

9Kështu me lavirësinë e saj të paturpshme e përdhosi vendin dhe e theu kurorën me gurë e me dru.

10E pas të gjitha këtyre, nuk m’u kthye e pabesa motra e saj, Juda, me gjithë zemrën e vet, por me rrena”, thotë Zoti.

11E Zoti më tha: Felëshuesja - Izrael, në krahasim me të Pabesën Judë, u dëftua më e drejtë.

12Shko e klithi me zë të lartë këto fjalë në drejtim të Veriut! Thuaj: Kthehu, Felëshuesja - Izrael, thotë Zoti, dhe nuk do ta kthej fytyrën time prej jush, sepse unë jam i mëshirshëm, - thotë Zoti, e nuk do ta mbaj hidhërimin përgjithmonë.

13Por pranoje fajësinë tënde, sepse u çove kundër Zotit, Hyjit tënd, u ende ndër të huaj nën çdo dru të gjelbër e zërin tim nuk e dëgjove, - thotë Zoti. Populli mesianik në Sion

Populli mesianik në Sion

14Kthehuni, o bij që u ngritët kundër meje, - thotë Zoti - sepse unë jam Zoti juaj. Do t’ju marr nga një prej çdo qyteti e nga dy prej çdo barku e do t’ju shpie në Sion.

15Unë do t’ju jap barinj sipas zemrës sime e do t’ju udhëheqin me dije e urti.

16Kur pastaj të shumoheni e të jeni shtuar në vend, ndër ato ditë - thotë Zoti - më nuk do të thuhet: ‘Arka e Besëlidhjes së Zotit’, askush nuk do të mendojë për të, as s’do t’u bjerë ndër mend për të, as s’do të kërkohet, as s’do të ripunohet më.

17Në atë kohë Jerusalemi do të quhet: ‘Froni i Zotit’; të gjithë popujt, atje, në Jerusalem, do të bashkohen në emër të Zotit, dhe më nuk do të jetojnë sipas pabesisë së zemrës së tyre tejet të prishur.

18Në ato ditë shtëpia e Judës do të shkojë në shtëpinë e Izraelit dhe, së bashku, do të vijnë nga toka e Veriut në tokën që ua dhashë për trashëgim etërve tuaj. Vazhdim i këngës mbi kthimin

Vazhdim i këngës mbi kthim

19E unë thashë: Oh, sa do t’doja të të numëroja ndër bij e ta jepja tokën e dëshirueshme, trashëgimin, margaritarin më të bukur ndër popuj! Mendoja: Atë do të më quani dhe s’do të pushoni së ardhuri pas meje.

20Por, siç e përbuz gruaja dashnorin e vet, po ashtu më përbuzët mua, shtëpia e Izraelit! - thotë Zoti.

21Dëgjo! Përmbi kodra u dëgjua një zë: vaji e dënesjet e bijve të Izraelit, sepse e lanë rrugën e vet, harruan Zotin, Hyjin e vet.

22“Kthehuni, o bij, që ma kthyet shpinën, se unë dua t’i shëroj kryengritjet tuaja!” - Ja, ne po vijmë te ti, sepse ti je Zoti, Hyji ynë!

23Vërtet, të rreme ishin kodrat po ashtu edhe zhurmat në male! Njëmend në Zotin, Hyjin tonë, Izreali e gjen shpëtimin!

24E përlau Turpi mundin e etërve tanë që nga rinia jonë, grigjat e loritë e tyre, bijtë e bijat e tyre.

25Le të mbështillemi me turpin tonë le të na mbulojë turpi ynë, pse mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, ne edhe etërit tanë prej rinisë e deri më sot e s’e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!