Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 42

Ikja në Egjipt

22 vargje

Ikja në Egjipt

1Atëherë të gjithë oficerët, d. m. th. Johanani, biri i Kareesë, Jezania, biri i Osajasë, edhe mbarë vegjëlia, prej më të voglit e deri në më të madhin, u paraqitën

2dhe i thanë profetit Jeremi: “Deh të të pëlqejë lutja jonë! Lute për ne Zotin, Hyjin tënd, për këtë tepricë, sepse prej një shumice të madhe kemi mbetur, siç po sheh, një pakicë.

3Le të na e dëftojë Zoti, Hyji yt, udhën që duhet të marrim dhe ç’duhet të bëjmë.”

4Atëherë profeti Jeremi u tha: “Ju mora vesh! Ja, unë po i lutem Zotit, Hyjit tuaj, ashtu si ju po kërkoni; çdo fjalë që Zoti, Hyji juaj, do të më përgjigjet, unë do t’jua tregoj dhe asgjë nuk do t’ju fsheh.”

5Ata i thanë Jeremisë: “Dëshmitar të vërtetë dhe besnik e paçim Zotin kundër nesh, në qoftë se nuk do të bëjmë ashtu si Zoti, Hyji yt, të të thotë të veprojmë me anën tënde.

6Si në na pëlqeftë, si në mos na pëlqeftë, do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na sillet mbarë pse do ta dëgjojmë zërin e Zotit, Hyjit tonë.”

7Kur u mbushën dhjetë ditë, fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë.

8Atëherë ai e thirri Johananin, birin e Kareesë, dhe të gjithë oficerët që ishin me të, si edhe të gjithë popullin prej më të voglit e deri në më të madhin.

9U tha: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, tek i cili më dërguat që t’i shtroj uratët tuaja para tij:

10Nëse do të vazhdoni të banoni në këtë vend në qetësi, unë do t’ju ndërtoj e nuk do t’ju shkatërroj, do t’ju mbëltoj e nuk do t’ju çrrënjos, sepse më vjen keq për të këqijat që jua kam bërë.

11Mos e druani mbretin e Babilonisë, para të cilit të frikësuar dridheni. Aspak mos e kini frikë - është fjala e Zotit - sepse unë jam me ju që t’ju shpëtoj e t’ju nxjerr nga dora e tij.

12Unë do të bëj që ju të gjeni hir para tij dhe ai do të ketë dhimbje për ju e do t’ju lërë të jetoni në tokën tuaj.

13Por, bëtë e thatë: ‘Nuk do të banojmë në këtë vend’, dhe nëse s’do ta dëgjoni zërin e Zotit, Hyjit tuaj

14e thoni: ‘Assesi, por do të shkojmë në tokën e Egjiptit, ku nuk do të shohim luftë as s’do të dëgjojmë zërin e borisë, ku s’do ta sprovojmë urinë: atje do të banojmë’;

15atëherë, mirë, për këtë gjë - dëgjojeni fjalën e Zotit - Teprica e Judës! Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Nëse vërtet mendoni të shkoni në Egjipt, dhe nëse shkoni atje për të jetuar,

16atëherë shpata që e druani do t’ju gjejë atje në tokën e Egjiptit, po edhe uria, së cilës po ia keni drojën, do t’ju ngjeshet në Egjipt, dhe atje do të vdisni.

17Të gjithë ata që do të vendosin të shkojnë në Egjipt për të jetuar atje si endacakë, do të vdesin atje nga shpata, uria e murtaja: askush prej tyre s’do të shpëtojë as s’do të mund t’i shmanget të keqes që do ta çoj mbi ta.

18Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Siç u zbraz furia ime dhe zemërimi im mbi jerusalemas, po ashtu do të zbrazet zemërimi im mbi ju, kur të keni hyrë në Egjipt: do të bëheni mallkim, emnesë, nëmë e turp dhe kurrën e kurrës më s’do ta shihni këtë vend.”

19Fjala e Zotit mbi ju, Tepricat e Judës! Ruajuni se shkoni në Egjipt! Mirë ta dini se unë jam sot dëshmitar kundër jush!

20Ju vetë po e vini në rrezik jetën tuaj! Sepse ju më çuat te Zoti, Hyji ynë, e më thatë: ‘Lutu për ne te Zoti, Hyji ynë, dhe gjithsesi të ketë thënë Zoti, Hyji ynë, ashtu ti na trego e ne do ta zbatojmë.’

21Unë sot ju vura në dijeni, por ju s’e dëgjuat zërin e Zotit, Hyjit tuaj, s’dëgjoni asgjë prej atyre që më dërgoi t’jua them.

22Tashti mund të jeni të sigurt se do të vdisni nga shpata, uria e murtaja në atë vend që deshët të hyni e të jetoni të strehuar.”