Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 46

II. /vazhdim/. PROFECI KUNDËR POPUJVE, Pjese profecish, etj.

28 vargje

II. /vazhdim/. PROFECI KUNDËR POPUJVE

Pjese profecish

2. Pjesë profecish

1Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi kundër popujve. Profeci kundër Egjiptit. Humbja në Karkamis

Profeci kundër Egjiptit. Humbja në Karkamis

2Kundër Egjiptit. Kundër ushtrisë së faraonit Nekao, mbretit të Egjiptit, që ishte përbri lumit Eufrat në Karkamis, të cilën e shpartalloi Nabukodono- zori, mbreti i Babilonisë, në vitin e katërt të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës.

3Bëni gati shqyt edhe mburojë: përpara, bini në luftë!

4Mbërtheni kuajt! Në shala, kalorës! Rreshtohuni me përkrenare në kokë! Le t’ju shkëlqejnë heshtat! Vishni pancirët!

5Çka kështu? Po shoh se u trembën, shpinën e sollën! Trimat e tyre ranë të prerë, ikin kah u bëjnë sytë dritë, prapa nuk sillen. Tmerr gjithkah - është fjala e Zotit!

6As këmbëshpejti s’mund të ikë, as trimi s’shpëton dot kokën! Në Veri, në brigjet e Eufratit të mundur rrah bien!

7Kush është ai që ngritet porsi Nili, ujërat e të cilit ushtojnë porsi përrenjtë kuq e turbullt?

8Është Egjipti që vërshon si Nili, valët e tij lëvizin porsi përrenjtë. Ai thotë: ‘Do të fryhem, do ta vërshoj tokën, do të shkretoj qytet e banorë të tij!’

9Suluni, kuaj! Përpara me furi karroca! Përpara, o trima: etiopas e putas, mjeshtër me shqyt, ju, ludas, që me hark shigjetoni!

10Por kjo është dita e Zotit, e Hyjit të Ushtrive, dita e hakmarrjes, që të hakmerret mbi armiqtë e vet. Përpin shpata e ngopet, dehet me gjakun e tyre: sepse Zoti, Hyji i Ushtrive, ka therje kurbanesh në tokën e Veriut, përbri lumit Eufrat!

11Dil në Galaad e kërko balsam, o virgjër, bija e Egjiptit! Kot mbledh barna gjithfarësh, plaga s’do të të shërohet.

12Dëgjuan popujt për turpin tënd, gjëma jote e mbushi dheun mbarë, sepse kur trimi me trimin haset, njëri dhe tjetri vdekur përdhe përplaset. Pushtimi i Egjiptit

Pushtimi i Egjiptit

13Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi se Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, do ta godiste tokën e Egjiptit.

14Lajmëroni Egjiptin, njoftoni në Magdolo, le të ndihet në Memfis e në Tafnis; thoni: Në këmbë e bëju gati! Sepse shpata përpiu gjithçka është rreth teje!

15Pse u rrëzua i Forti yt? S’mundi të qëndrojë në këmbë, sepse Zotynë e flaku për dhe!

16Me shumicë njerëzit i rrëzon, rrah për tokë bie njëri në tjetrin e gërthasin: “Çohu! Të kthehemi te populli ynë, në tokën e vendlindjes sonë, larg nga shpata e pamëshirë!”

17Quajeni faraonin, mbretin e Egjipit: ‘Stuhi pas kohës së duhur!’

18Pasha jetën time - thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i Ushtrive, sepse, porsi Tabori ndër male, porsi Karmeli në bregdet, po vjen njëri!

19Bëj gati çaklat për shpërngulje, bija e martuar e Egjiptit, se Memfisi shkretëtirë do të bëhet, e shpartalluar, pa banorë!

20Mëshqerrë e bukur, e hijshme ishte Egjipti, por iu sul nga Veriu zekthi!

21Mercenarët e tij, që në të endeshin porsi mëzetër të majmë, ia kthyen shpinën, së bashku po ikin, ballë s’janë të zotët assesi të bëjnë, se erdhi dita e vrasjes së tyre, u erdhi koha e ndëshkimit.

22Zëri i tij vishkëllimë e gjarprit! Ja, po vijnë turr me ushtri, me sëpata në të po sulen, porsi druvarë të vërtetë!

23Ja, rrëzuan pyllin - është fjala e Zotit - që nuk mund të llogaritet. Janë më shumë se karkalecat, burrë nuk del që t’i numërojë!

24E mbuloi turpi bijën e Egjiptit, ra në dorë të popullit të Veriut!

25Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, thotë: “Ja, unë do ta ndëshkoj Amonin, e Nos, faraonin, Egjiptin, zotat e tij, mbretërit e tij, faraonin e ata që e vunë besimin e vet në të.

26Do t’i lëshoj në dorë të atyre që kërkojnë t’ua marrin kokën, në dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të shërbëtorëve të tij. Pastaj Egjipti do të banohet si në kohën e mëparshme - është fjala e Zotit.

27Por ti mos druaj, Jakob, shërbëtori im, mos ki frikë, o Izrael! Ja, unë do të të shpëtoj prej së largu, farën tënde nga toka e skllavërisë. Jakobi në paqe do të kthehet, i sigurt do të jetë, kush më s’do ta trembë!

28Mos druaj, Jakob, shërbëtori im, - është fjala e Zotit - sepse unë jam me ty: do t’i shfaros të gjithë popujt ndër të cilët unë të pata tretur, kurse ty unë nuk do të të zhduk, por me masë unë do të të ndëshkoj, pa të ndëshkuar krejtësisht s’do të të lë.”