Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 6

Përsëri mbi pushtimin

30 vargje

Përsëri mbi pushtimin

1Ikni, bijtë e Beniaminit, jashtë Jerusalemit! Bini borisë në Tekua, në Betkarem ngritni flamurin, se prej Veriut po vjen rreziku, një fatkeqësi shumë e madhe.

2Bëra të mos i dëgjohet zëri bijës së hijshme e të bukur të Sionit.

3Tek ajo po vijnë barinjtë së bashku me grigjat e veta, rreth e rreth në të ngulin çadrat, kullot secili pjesën e vet.

4Përgatiteni luftën e shenjtë kundër saj! Në këmbë! Ta sulmojmë në mesditë! Vaj për ne se shkoi nga mbarimi dita, sepse u zgjatën hijet e mbrëmjes!

5Në këmbë! Le ta sulmojmë natën, t’i rrafshojmë pallatet e saj!

6Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Pritni drurët e saj, ngritni pendën rreth Jerusalemit; qytet për t’u ndëshkuar është ky, çdo gënjeshtër gjendet në mesin e tij!

7Sikurse rrjedh uji prej burimit, po ashtu prej tij rrjedh paudhësia. Në të dëgjohet dhunë e shkretim, para meje gjithnjë sëmundje e plagë.

8Pranoje mësimin, o Jerusalem, që të mos largohem prej teje, që të mos të të shkretoj, të mos të të bëj vend të pabanueshëm.

9Kështu thotë Zoti i Ushtrive: “Porsi në vresht deri në vilen e sprasme do të kokrrohet ç’teproi prej Izraelit. Sille dorën tënde porsi vjelësi nëpër hardhi!”

10Por, kujt t’i flas, kë ta qortoj, që të më dëgjojë? Ja, të parrethprerë janë veshët e tyre, prandaj s’mund të dëgjojnë! Ja, fjala e Zotit është bërë për ta bezdi, s’mund ta pranojnë.

11Këndej plot jam me zemërimit e Zotit, më s’mundem të përmbahem. “Zbraze përmbi fëmijë në rrugë, edhe mbi mbledhjen e të rinjve; e do të kapen trim e grua, plaku e burri në moshë të plotë.

12Në duar të tjerëve do t’u kalojnë shtëpitë, gjithashtu edhe arat e gratë, sepse dorën do ta shtrij mbi banorët e këtij vendi - është fjala e Zotit.

13Prej më të voglit deri tek më i madhi të gjithë janë dhënë pas horrjatisë, nga profeti deri te prifti, të gjithë si një po bëjnë dredhi.

14Mendjelehtas shërojnë plagën e popullit tim e thonë: “Paqe! Paqe!” e paqe s’ka!

15Le të turpërohen pse bënë turpëri, por ata më s’dinë për turp, por mjerisht nuk dinë të skuqen. “Ja, pra, do të rrëzohen porsi të tjerët, rrafsh do të bien kur t’i ndëshkoj, - është fjala e Zotit.

16Kështu thotë Zoti: “Qëndroni në udhë e shikoni, pyetni për shtigjet e vjetra, cila udhë është e mirë, andej ecni e paqe do të gjeni për shpirtrat tuaj.” Por ata thanë: “Andej s’do të shkojmë!”

17Atëherë vetë rojtarët u vura: “Dëgjojeni zërin e bririt!” Por m’u përgjigjën: “S’do ta dëgjojmë!”

18Prandaj, dëgjoni, o popuj, ta marrë vesh kuvendi i dheut, se çfarë do t’u bëj atyre!

19Dëgjo, o tokë! “Këtij populli po ia sjell të zezën, frytin e synimeve të tij, sepse fjalët e mia s’i dëgjuan, Ligjin tim nuk e zbatuan.

20Po ç’më duhet kemi që vjen nga Saba, kallami i erëndshëm nga vendi i largët? Flitë e djegies nuk më pëlqejnë, theroret tuaja s’i kam për zemër!”

21Për këtë arsye Zoti thotë kështu: “Ja, do të vë kundër këtij populli pengesa në të cilat të rrëzohen së bashku etër e fëmijë, do të sharrojnë mik e i afërm.”

22Kështu thotë Zoti: “Ja, po vjen nga veriu një popull, si mizëria është nga skajet e tokës,

23ka ngritur në këmbë hark e heshtë, është i egër e s’di ç’është dhimbja; zhurma e tij si zhurma e detit, po u hipin kuajve në shpinë, si një të gjithë gati për luftë kundër teje, Bija e Sionit.

24Kur na arriti ky lajm: duart tona i la fuqia, frikë e madhe na pushtoi, dhimbjet si dhimbje e lindëses.”

25Assesi mos dilni në ara, assesi mos merrni rrugë, se ju pret shpata e armikut, edhe tmerri gjithkund përreth.

26Vesh grathoren, bija e popullit tim, zhgërryhu mirë nëpër pluhur, vajto veten si e vajtojnë të vetmin djalë, bëj një gjëmë tejet të hidhur, se papritmas na sulmoi vrastari!

27Shqyrtues të bëra për pop’llin tim t’ia njohësh e t’ia shqyrtosh udhën.

28Të gjithë janë prijës kryengritës që jetojnë me dredhi. Tumbak e hekur: që të gjithë janë njerëz të prishur.

29Në zjarr fryn rrëshiqi, që plumbi të shtrihet; porse shkrirësi më kot mundohet, sepse elementet e këqija s’po ndahen dot!

30Ata quajini “argjend i keq”, sepse Zoti i përbuzi!