Të gjithë kapitujt

Jeremia · Kapitulli 8

Kërcënime, ankime, mësime. Rënia e Izraelit, Ligji në duar të priftërinjve, etj.

23 vargje

Kërcënime, ankime, mësime. Rënia e Izraelit

1Në atë kohë - thotë Zoti - do t’i nxjerrin nga varret e tyre eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e prijësve të tij, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e atyre që banuan në Jerusalem

2dhe do t’i shpërndajnë në drejtim të diellit, të hënës e të mbarë ushtrisë qiellore, të cilët i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve ecën, të cilët i kërkuan e të cilët i adhuruan; nuk do të mblidhen e nuk do të varrosen: pleh do të jenë mbi sipërfaqen e tokës.

3Më e mirë do të jetë vdekja se jeta për të gjithë ata që do të mbesin gjallë prej kësaj breznie të prishur në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj - është fjala e Zotit të Ushtrive. Kërcënime, ankime, mësime. Rënia e Izraelit

4Ti thuaju atyre: kështu thotë Zoti: Vallë, kush rrëzohet, a thua më nuk çohet, nëse e humb rrugën, a thua prapë s’kthehet?

5Pse atëherë endet ky popull, Jerusalemi vazhdimisht pse është kundër? U qepën pas gënjeshtrës, të kthehen nuk dëgjojnë!

6Dëgjova me kujdes: nuk flasin siç ka hije, asnjë nuk pendohet për të keqen e vet e s’thotë: “Çfarë bëra?” Të gjithë e ndjekin pa u kthyer vrapin e vet, porsi kali që sulet në luftë.

7Edhe lejleku nën qiell e njeh kohën e vet, turtulli, dallëndyshja edhe mullibardha e di kohën kur duhet të kthehen, kurse populli im nuk e njeh të drejtën e Zotit! Ligji në duar të priftërinjve

Ligji në duar të priftërinjve

8Si mund të thoni: “Ne jemi të urtë e me ne është Ligji i Zotit?” Vërtet në gënjeshtër e ka shndërruar lapsi gënjeshtar i shkruesve.

9Të turpëruar do të mbesin të urtët, të tmerruar e të zënë në leqe, sepse përbuzën fjalën e Zotit, e në ta s’mbeti kurrfarë urtie. Përsëritje e fragmentit kërcënues

Përsëritje e fragmentit kërcënues

10Prandaj, gratë e tyre të tjerëve do t’ua jap, pushtuesve arat e tyre, sepse prej më të voglit deri tek më i madhi, të gjithë janë dhënë pas horrjatisë, prej profetit deri te prifti të gjithë si një po bëjnë dredhi.

11Mendjelehtas shërojnë plagën e bijës së popullit tim e thonë: “Paqe! Paqe!” e paqe s’ka.

12Janë turpëruar pse bënë turpëri, por ata nuk dinë për turp, por mjerisht nuk dinë të skuqen. “Ja, pra, do të rrëzohen porsi të tjerët, rrafsh do të bien kur t’i ndëshkoj - është fjala e Zotit. Kërcënim vreshtit - Judës

Kërcënim vreshtit - Judës

13Doja në ta vetë të vjel - është fjala e Zotit - por në hardhia rrush nuk ka, as në fiq, fiq nuk ka, u janë vyshkur deri edhe gjethet! Do t’u jap atyre që mbi ta shkelin.

14- “Përse ne rrimë me duar në ijë? Në këmbë! Të hyjmë brenda në fortesa, aty të vdesim, pasi Zoti, Hyji ynë, na dorëzoi në vdekje, na dha të pimë ujët e helmuar, pse mëkatuam kundër tij.

15Prisnim paqen: por të mirë s’ka, të na vijë dita e shërimit, dhe ja, tmerri!”

16Nga Dani hingëllima e kuajve të tij dëgjohet, prej ushtimës së hingëllimës së hamëshorëve të tij tundet mbarë toka; po vijnë të përpijnë tokën me çka ka në të, qytetin me banorët e tij!

17- Ja, po nisi kundër jush shlliga të helmuara, kundër të cilash s’ndihmon shortia, do t’ju hanë - është fjala e Zotit. Vajtimi i profetit për shkak të urtisë

Vajtimi i profetit për shkak të urtisë

18Gëzimi im m’u shndërrua në dhimbje, ma mbuloi zemrën trishtimi!

19Ja, dëgjoj britmat e vajtueshme të bijës së popullit tim që ushtojnë nga një tokë e largët: “Vallë, thua Zoti s’është më në Sion? Mbreti i tij s’është më në të? - Pse me idhuj më ngacmojnë të zemërohem, më fyejnë me asgjësitë e huaja?”

20- Kaloi korrja, iku vera, e shpëtim për ne nuk ka!

21Për shkak të ndrydhjes së popullit tim jam i ndrydhur, i përvëluar, krejtësisht më pushtoi habia.

22Në Galaad thua më s’ka balsam? S’ka atje thua asnjë mjek? Pse atëherë nuk u përtha vrraga e bijës së popullit tim?

23Oh, kush ma shndërron kokën në gurrë, sytë e mi currila lotësh që të vajtoj unë ditë e natë të vrarët e popullit tim!