Të gjithë kapitujt

Jobi · Kapitulli 38

IV. BISEDAT E ZOTIT, Biseda e Parë, etj.

41 vargje

IV. BISEDAT E ZOTIT

Biseda e Parë

Pushteti krijues e shtangon Jobin

1Nga stuhia Zoti i përgjigji Jobit e i tha:

2»Kush është ai që e errëson Provaninë me ca fjalë që kripë nuk kanë?

3Ngjeshu, pra, siç ngjeshen trimat: unë dua të pyes e ti më mëso!

4Kur themelet tokës ia vura ti ku ishe? Më trego nëse njëmend e di.

5A e di: kush përmasat ia caktoi? Me konop kush e ka matur?

6Përmbi çka i pushojnë themelet? Të këndit gurin kush ia vuri

7ndërsa k’ndonin yjet e mëngjesit, brohorisnin të gjithë bijtë e Hyjit?

8Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga krah’rori i nënës?

9Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si më shpërgenj e mbështolla?

10Kur unë caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula

11dhe i thashë: ‘Deri këtu! mëtej mos shko! Këtu le të thehen valët tua krenare!’

12Gjatë jetës sate nadjes i urdhërove? Po agimit vendin ia caktove?

13Kur ia kape skajet tokës a u shkundën prej saj mëkatarët?

14A do të shndërrohet në deltinë për vula, do të ngjyroset porsi petku?

15Mëkatarëve drita u merret, u thërmohet grushti i ngritur.

16A mos mbërrite në burimet e detit, a mos ece fundit të pështjerrave?

17A t’u hapën dyert e vdekjes dhe i pe hymjet e errëta?

18A i vrojtove përmasat e tokës? Fol, pra, ti, nëse i di këto të gjitha!

19Në cilin kënd drita banon? Vendbanimin ku e kanë errësirat?

20Për t’u prirë në caqet e tyre o për t’i kthyer në banesë të tyre?

21Po si! Ti atëherë ishe i lindur, vjetët e tua janë tepër të shumta!

22A ke hyrë në qilarët e borës? A i ke parë depot e breshërit,

23që i përgatita për ditë të ngushtë, ditë përleshje, lufte të tmerrshme?

24Cilës udhë shpërndahet drita, nëpër cilën shiroku djeg tokën?

25Kush shiut të rëndë udhën ia dha edhe rrugën rrufesë vetuese,

26që të bjerë shi në vend të pabanuar, në shkretëtirë ku askush s’banon,

27për t’i ngirë të papërshkueshmet djerre, që të qesë bar toka e thatë?

28A ka vallë shiu baba? Kush i lind pikat e vesës?

29Gjirit të kujt do të ketë dalë àkulli? Kush prej qiellit e lindi brymën?

30Kur si gur ujërat forcohen, sipërfaqja e humnerës kur ngurret?

31Mundesh në vargje t’i lidhësh Shejzat, o nenin t’ia zgjidhish Orionit?

32E bën të dalë Hyllin e Dritës? Ti i prin Ariut me zogj?

33A ia di ti qiellit ligjet dhe mbi tokë ti i vë në zbatim?

34A u bërtet ti reve në qiell e të mbulon shtrëngata e shiut?

35A ti i lëshon vetëtimat që çajnë dhe të thonë: ‘Si urdhëron!’?

36Kush ibisit i dha dije edhe gjelit të ketë kuptim?

37Kush i mençur i numron retë, kush i zbraz rrëshiqat e qiellit,

38kështu pluh’ri bëhet një tërësi edhe bucat një me tjetër të ngjiten?

39Luaneshës ti, thua, prenë ia zë dhe i ushqen zogjtë e luanit,

40kur ata qëndrojnë në shpellë ose vërejnë mbi pre nga strof’lli?

41Kush korbave ua mbledh ushqimin, kur drejt Hyjit zogjtë cicërrojnë për arsye se u mungon shujta?