Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 11

8. PUSHTIMI I VERIUT, Lidhja e mbretërve të Veriut kundër Izraelit, etj.

23 vargje

8. PUSHTIMI I VERIUT

Lidhja e mbretërve të Veriut kundër Izraelit

1Kur mori vesh për këto gjëra Jabini, mbreti i Asorit, dërgoi kasnecë tek Jobabi, mbreti i Madonit, te mbreti i Semeronit, te mbreti i Aksafit,

2po ashtu edhe te mbretërit e Veriut, që banonin në Malësi dhe në Arabë, në jug të Keneretit, edhe në Sefelë dhe në krahinat Dor, në bregun e detit;

3te kananenjtë në lindje e në perëndim, tek amorrenjtë, hetenjtë, ferezenjtë e jebusenjtë në Malësi, po ashtu edhe te hevenjtë që banojnë në rrëzë të Hermonit, në tokën e Masfës.

4Atëherë ata dolën të gjithë me mbarë ushtritë e tyre: një mori e madhe pa masë si rëra që është në bregun e detit, me një shumicë të madhe kuajsh e karrocash.

Fitorja në Merom

5U bashkuan, pra, të gjithë këta mbretër dhe së bashku e ngulën fushimin tek ujërat Merom për të luftuar kundër Izraelit.

6Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Mos i druaj! Sepse nesër, mu në këtë orë, do ti dëftoj të gjithë këta të vrarë para Izraelit. Preju kuajve të tyre dizgoret e karrocat digji me zjarr”.

7Jozuehu me mbarë ushtrinë e vet u lëshua ja kundër tyre papritmas tek ujërat e Meromit dhe u sulën në ta.

8E Zoti i lëshoi në duar të izraelitëve. Këta i vranë e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, në Maserefot në perëndim dhe deri në fushën e Masfës në lindje, Dhe aq shumë i vranë, saqë se lanë gjallë asnjë për be.

9Bëri sikurse Zoti i kishte urdhëruar: kuajve të tyre ua preu dizgoret e karrocat i dogji.

Pushtimi i Azorit dhe i qyteteve të tjera të Veriut

10Asokohe Jozuehu u kthye dhe e pushtoi Azorin. Mbretin e tij e preu me shpatë. Azori dikur kishte qenë kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive.

11Vrau gjithçka ishte gjallë në të: asnjë se la gjallë as për be, por zhduki gjithçka deri në shfarosje e vet qytetin e shkatërroi me zjarr.

12Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet përreth e i zuri mbretërit e tyre, i preu dhe i shkatërroi siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.

13Megjithatë, Izraeli nuk i dogji qytetet që ishin të ndërtuara mbi kodra; të vetmin Azorin Jozuehu e dogji me zjarr.

14Izraelitët prenë që kapën në këto qytete, dhe gjënë e gjallë e ndanë ndër vete, kurse të gjithë njerëzit i vranë, pa lënë gjallë asnjë.

Jozuehu zbaton urdhrin që ia kishte dhënë Moisiu

15Siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut, shërbëtorit të vet, po ashtu Moisiu i urdhëroi Jozuehut. Jozuehu bëri ashtu. Nuk la pa kryer asgjë prej atyre që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

16E kështu Jozuehu e pushtoi mbarë këtë vend: Malësinë, Nagebin, mbarë tokën Gosen, Sefelën e Arabën, Malësinë e Izraelit me vërrinë e saj.

17Prej malit të Shogët që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baalgad, në fushën e Libanit nën bjeshkën e Hermonit; i zuri robër të gjithë mbretërit e tyre, i vrau e ua treti farën.

18Jozuehu luftoi një kohë të gjatë kundër këtyre mbretërve.

19Nuk pati asnjë qytet që të lidhte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Heveut që banonte në Gabaon: të gjitha i pushtoi me luftë.

20E kishte thënë Zoti që të ngurtësoheshin zemrat e tyre e të luftonin kundër Izraelit, që të binin të vrarë e të mos meritonin kurrfarë mëshire e të shfaroseshin sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

Shfarosja e enacimëve

21Në atë kohë erdhi Jozuehu dhe i shfarosi enacimët prej malit Hebron, Dabir, Anab e prej të gjitha maleve të Judës e të Izraelit dhe rrafshoi qytetet e tyre.

22Nuk la asnjë enacim në tokën e bijve të Izraelit. Mbetën vetëm në Gazë, në Get e në Azoto.

23Kështu pra, Jozuehu e pushtoi mbarë dheun, sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe ua dha për pronë bijve të Izraelit, sipas fiseve të tyre. Dhe vendi pushoi nga luftërat.