Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 19

Fisi i Simonit, Fisi i Zabulonit, etj.

51 vargje

Fisi i Simonit

1Shorti i dytë u ra bijve të Simonit sipas vëllazërive të tyre. Prona e tyre

2ishte në mes të bijve të Judës. Ishte: Bersabeja, Samaja, Molada,

3Hasersuali, Bela, Asemi,

4Eltoladi, Betuli, Horma,

5Sicelegu, Betmarkaboti, Asersuza,

6Betlebaoti e Saroheni: trembëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

7Aini, Remoni, Atari e Asani: katër qytete me fshatrat e tyre.

8Përfshiheshin edhe të gjitha fshatrat rreth këtyre qyteteve deri në Baalatbeer, në Ramatnageb. Kjo është prona e bijve të Simonit sipas vëllazërive të tyre.

9Pjesa e bijve të Simonit u mor nga pjesa e bijve të Judës, sepse pjesa, ndarë bijve të Judës, ishte tepër e madhe për ta. Këndej edhe bijtë e Simonit e morën pjesën e pronës së vet në mes të pronës së tyre.

Fisi i Zabulonit

10Shorti i tretë ra mbi bijtë e Zabulonit sipas vëllazërive të tyre: kufiri i pronës së tyre shtrihej deri në Sarid.

11Prej këndej në perëndim kufiri shkonte deri në Meralë e mbërrinte në Debaset deri në përruan që është përballë Jeknaamit.

12Pastaj kthehet prej Saridit në lindje në kufi të Cezeletaborit, del në Daberet e ngjitet përballë Jafies.

13Prej andej kalon deri në krahun e lindjes të Geteferit, Etakasinit e del në Remon dhe zbret në Noa.

14Pastaj bën lak në veri tek Hanatoni. Mbaron në luginën Jeftahel.

15Përfshinte edhe Katetin, Naalolin, Semronin, Jedalën e Betlehemin: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

16Ky është trashëgimi i fisit të bijve të Zabulonit sipas vëllazërive të tij, qytete e fshatra të tyre.

Fisi i Isaharit

17Shorti i katërt i ra Isaharit sipas vëllazërive të tija.

18Trashëgimi i tij qe: Jezraeli, Kasaloti, Sunemi,

19Hafaraimi, Seoni, Anaharati,

20Rabiti, Cesioni, Abesi,

21Rameti, Enganimi, Enhada, Betfezezi.

22Pastaj kufiri prek Taborin, Sehesimën, Betsamesin dhe përfundon në Jordan. Gjashtëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

23Kjo është prona e bijve të Isaharit sipas vëllazërive të tija, qytetet e fshatrat e tij.

Fisi i Aserit

24Shorti i pestë i ra fisit të bijve të Aserit sipas vëllazërive të tija.

25Kufiri i tyre ishte: Halkati, Kaliu, Beteni, Aksafi,

26Elmeleku, Amaadi, Mesali dhe arrinte deri në Karmel në perëndim dhe në Sihorlabanat.

27Atëherë kthehej në drejtim të lindjes në Betdagon dhe shkonte deri te Zabuloni në luginën Jeftael në veri në Betemek e në Nejel. I arrinte Kabulit në krahun e majtë,

28në drejtim të Abranit, Rohobit, Hamonit e të Kanës deri në Sidonin e Madh.

29Atëherë kthehej në Ramë deri te qyteti tejet i fortifikuar, që është Tiri. Pastaj kthehej në Hosë, e merrte fund në det. Përfshinte Mahalebin, Akzibën,

30Amën, Afekun, e Rohobin: njëzet e dy qytete me fshatrat e tyre.

31Kjo është prona e bijve të Aserit sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

Fisi i Neftaliut

32Shorti i gjashtë ra mbi bijtë e Neftaliut sipas vëllazërive të tyre.

33Kufiri i tyre fillon prej Helefit e prej Qarrit Saananim e prej Adaminecebit, Jebnaelit deri në Lekum dhe shkon e mbaron në Jordan.

34Atëherë kufiri kthen drejt perëndimit në Aznotabor e prej këndej shkon në Hukokë dhe në jug përpiqet me Zabulonin, kurse në perëndim me Aserin, në lindje del në Jordan.

35Qytetet e fortifikuara ishin: Asedimi, Seri, Amati, Rekati, Kenereti,

36Edema, Rama, Asori,

37Cedesi, Edrai, Enasori,

38Jeroni, Magdaleli, Horemi, Betanati e Betsamesi: nëntëmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.

39Kjo është prona e fisit të bijve të Neftaliut sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

Fisi i Danit

40Shorti i shtatë i ra fisit të bijve të Danit sipas vëllazërive të tyre.

41Kufiri i pronës së tyre ishte: Saraja, Estaoli, Hirsemesi /d. m. th. Qyteti i Diellit/,

42Selebini, Ajaloni, Jetela,

43Eloni, Temna, Akroni,

44Eltecja, Gebetoni, Baalati,

45Judi, Benebaraku, Getremoni,

46Mejarkoni, Arekoni me krahinën në anën e Jopës.

47Por kufiri i bijve të Danit u shty prej tyre. Bijtë e Danit u ngjitën dhe luftuan kundër Lesemit dhe e pushtuan. Njerëzit i prenë me teh të shpatës, ua morën vendin e banuan në të dhe e quajtën Lesemdan, në emër të Danit, babait të vet.

48Kjo është prona e bijve të Danit sipas vëllazërive të tyre: qytetet me fshatrat e tyre.

49Pasi e kryen së ndari tokën me short për secilin fis, bijtë e Izraelit ia dhanë në mesin e tyre pronën Jozuehut, birit të Nunit.

50Sipas urdhrit të Zotit i dhanë qytetin që ai e kërkoi: Tamnatsaranë në bjeshkët e Efraimit. Jozuehu ndërtoi qytetin dhe nguli në të.

51Këto janë pronat që më short i ndanë Eleazari prift, Jozuehu, biri i Nunit, dhe prijësit e vëllazërive të fiseve të bijve të Izraelit në Silo, në praninë e Zotit, te dera e Tendës së Takimit. Kështu i dhanë fund ndarjes së vendit.