Të gjithë kapitujt

Jozuehu · Kapitulli 20

4. QYTETE TË PRIVILEGJUARA, Qytetet strehim

9 vargje

4. QYTETE TË PRIVILEGJUARA

Qytetet strehim

1Zoti foli me Jozuehun dhe i tha: “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:

2Caktoni për vete qytetet strehim, për të cilat ju kam folur me anë të Moisiut,

3që të gjejë strehim kushdo të vrasë me padashje ndonjë njeri, që të mund ti shpëtojë hidhërimit të të afërmit, që i takon të marrë gjakun.

4Pasi të jetë strehuar brenda cilitdo prej këtyre qyteteve, le të paraqitet te dera e qytetit dhe le tu tregojë pleqve të qytetit arsyet që e vërtetojnë se është i pafajshëm. Kështu ata do ta pranojnë dhe do ti caktojnë vendin për të banuar.

5Nëse hakmarrësi i gjakut e kërkon, të mos ia dorëzojnë, sepse e vrau me padije të afërmin e vet, dhe nuk mund të vërtetohet se më parë ka qenë armik me të.

6Le të banojë në atë qytet derisa të dalë para kuvendit të dheut për tu bërë gjykimi duke përligjur shkakun e ngjarjes së vet, ose derisa të vdesë kryeprifti që është asokohe në shërbim. Atëherë vrasësi le të kthehet e le të hyjë në qytetin e vet e në shtëpinë e vet, prej nga kishte ikur”.

7Caktuan Cedesin në Galile, në malin e Neftaliut; Sikemin në malin e Efraimit; Kariatarbenë - që është Hebroni - në malin e Judës.

8Në anën përtej Jordanit, në lindje të Jerikut, caktuan Bosorin, që është në shkretëtirë në rrafshin e fisit të Rubenit, Ramotin në Galaad prej fisit Gad dhe Gaulonin në Basan prej fisit të Manaseut.

9Këto qytete u caktuan për të gjithë bijtë e Izraelit dhe për ardhacakë që banojnë ndër ta, që, kushdo të ketë vrarë ndokënd padashje, të strehohet në to, që të mos vdesë prej dorës së të afërmit që dëshiron të hakmerret për gjakun e derdhur, derisa të dalë para popullit për ta sqaruar çështjen e vet.