Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 10

IV. JUDITA E OLOFERNI, Judita shkon te Oloferni

23 vargje

IV. JUDITA E OLOFERNI

Judita shkon te Oloferni

1Kur Judita i dha fund përlutjes së vet drejtuar Hyjit të Izraelit e si i kreu të gjitha këto fjalë,

2u ngrit nga adhurimi me fytyrë përdhe, e thirri kryeshërbëtoren e vet dhe zbriti në dhomën e vet, ku qëndronte të shtunave dhe ditëve të kremtimit.

3E zhgjeshi grathoren që e kishte ngjeshur, i hoqi petkat e vejnisë, e lau shtatin, u lye me erëra të mira, i krehi flokët, vuri në kokë rizakun dhe u vesh me petkat e gëzimit, me të cilat vishej kur e kishte gjallë burrin, Manaseun.

4Në këmbë i mbathi sandalet, vuri gjerdanin, vuri byzylykët në duar, unazat, vathët dhe mbarë argjendin: u stolis shumë bukur për ta joshur shikimin e çdo njeriu që e shikonte.

5Shërbëtores së vet i dha në dorë një rrëshiq me verë, një enë me vaj, i mbushi duqet me grurë të përzhitur, me bukëfike, me bukë e djathë: i mbështolli të gjitha këto e ia dha shërbëtores së vet.

6Pastaj shkuan te dera e qytetit të Betulisë, ku i priste Ozia me dy pleqtë e qytetit, Kabriun e Karmiun.

7Këta, kur e panë Juditën, të zbukuruar në fytyrë dhe me petka të ndërruara, mbetën shumë të habitur për bukurinë e saj dhe i thanë:

8»Hyji i etërve tanë ta priftë mbarë dhe i çoftë në vend synimet e tua për nder të bijve të Izraelit e për lavdinë e Jerusalemit!«

9Judita e adhuroi Hyjin e u tha: »Jepni urdhër të më hapet dera e qytetit e të dal e t’i sendërtoj fjalët që po m’i thoni si urim.« Ata u urdhëruan djelmoshave t’ia hapin derën sikurse u kishin thënë.

10Ata bënë ashtu. Judita doli e, me të, edhe shërbëtorja e saj. Njerëzit e qytetit e vërenin me sy deri që zbriti nga mali e ra në rrafshinë e atëherë nuk e panë më.

11Ato ecnin ashtu drejt luginës, kur qe, i dolën përpara rojet e para të asirëve.

12Rojet e ndalën Juditën dhe e pyetën: »Prej cilit popull je, nga po vjen e ku po shkon?« Ajo u përgjigj: »Unë jam bijë hebrenjsh. Ika prej tyre, sepse s’do të vonojë e do të bëhen kafshata juaj.

13Jam nisur të shkoj përpara Olofernit, kryekomandantit të ushtrisë suaj, për t’i dhënë njoftime të sigurta. Dua t’i tregoj drejt atij rrugën kah të shkojë për ta pushtuar mbarë malësinë për pa i hyrë ferrë në këmbë asnjë njeriu dhe asnjë fryme të gjallë.«

14Ndërsa këta njerëz po i dëgjonin fjalët e saja dhe po e shikonin në fytyrë - e ishte ndër sytë e tyre e bukur për mrekulli, e pashme pa masë e - i thanë:

15»E shpëtove jetën tënde që shpejtove të zbresish te zotëria ynë. Tash shko në tendën e tij. Disa prej nesh do të përcjellim deri që të të dorëzojmë në duar të tija.

16Kur të kesh dalë para tij, mos ki më frikë. Tregoj fjalët që na i the dhe ai do të sillet me ty mirë.«

17I zgjodhën nga mesi i vet njëqind njerëz, e përcollën atë dhe shërbëtoren e saj, dhe e sollën te çadra e Olofernit.

18Në mbarë fushimin u bë një eceeja sepse nga tenda në tendë u hap lajmi i arritjes së saj. Erdhën dhe e rrethuan në ndërkohë që ajo po priste para tendës së Olofernit për ta lajmëruar tek ai.

19S’mbetej kush pa u mrekulluar për bukurinë e saj dhe i dëgjonin plot shije fjalët e saja që ishin plot hir, dhe u jepnin nderim bijve të Izraelit për shkak të saj. Njëri i thoshte tjetrit: »Kush mund ta urrejë një popull, që paska në mesin e vet gra të këtilla? Vërtet s’është mirë të lihet i gjallë asnjë prej tyre, sepse po i lë të qetë do të mund t’ia marrin mendtë mbarë botës.«

20Dolën rojet dhe shërbëtorët e Olofernit dhe e futën Juditën në tendën e tij.

21Oloferni po pushonte në një shtrat nën një mbulesë grimizi të stolisur me ar, smaragd e me gurë të paçmueshëm.

22E lajmëruan për ardhjen e saj. Ai doli në paraderën e tendës i paraprirë me shumë pishtarë të argjendtë. Dhe e shtinë Juditën tek ai.

23Kur Judita u gjet në praninë e kryekomandantit e të shërbëtorëve të tij, të gjithë e lëvduan bukurinë e saj. Ajo u përkul me nderim para tij me fytyrë përdhe, por e ngritën shërbëtorët e tij.