Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 12

Judita në banketin e Olofernit

20 vargje

1Urdhëroi të vendoset në dhomën e argjendit të vet, t’i shtrohej tryeza me gjellat e tija e t’i jepej verë prej verës së tij.

2Por Judita foli: »Unë nuk do të ha nga këto ushqime që të mos bëj ndonjë mëkat, por le të më përgatitet ushqimi prej atyre që kam sjellë me vete.«

3Oloferni e pyeti: »Po nëse të soset kjo që e ke sjellë me vete, ku do të marrim ushqime të tilla e të t’i japim kur këtu ndër ne s’ka asnjë njeri nga fisi yt?«

4Por Judita i përgjigji: »Pasha jetën tënde, Imzot, shërbëtorja jote as që do të arrijë ta sosë atë që e ka sjellë me vete, sepse Zoti vetë me dorën e saj do të veprojë si ka vendosur.«

5Atëherë shërbëtorët e Olofernit e shtinë në tendë dhe Judita fjeti deri në mesnatë. U ngrit para rojës së agimit

6dhe dërgoi te Oloferni për t’i thënë: »Le të japë urdhër tani Imzoti t’i lejohet shërbëtores së tij të dalë në uratë.«

7Oloferni u urdhëroi rojeve të veta të mos e ndalojnë. Ajo qëndroi tri ditë në fushim. Natën dilte në luginën e Betulisë dhe shkonte e lahej në burimin e ujit.

8E ndërsa ngjitej, i lutej Zotit, Hyjit të Izraelit, t’ia sillte për së mbari për ta nderuar popullin e vet.

9E pastruar hynte në tendën e vet dhe aty qëndronte deri sa i sillej në mbrëmje ushqimi.

Judita në banketin e Olofernit

10Në ditën e katërt, Oloferni përgatiti një banket, në të cilin i thirri të gjithë oficerët e vet me përjashtim të atyre që ishin në shërbim.

11I tha eunukut Bagoa, që i mbikëqyrte të gjitha sendet e tija: »Shko e mbushja mendjen asaj gruaje hebreje që është te ti, të vijë e të hajë e të pijë me ne.

12Për besë është turp për ne ta lëmë të shkojë një grua e tillë pa pasë ndërruar dy tri fjalë me të. Nëse s’do të dimë ta përfitojmë, do të na përqeshë.

13Bagoai doli nga tenda e Olofernit dhe shkoi te Judita i tha: »Të mos pritojë kjo bukuroshe të vijë te zotnia im të nderohet në praninë e tij e ta pijë verën e gëzimit bashkë me ne. Në ditën e sotme do të nderohet siç nderohen bijat e zgjedhura të bujarëve të asirëve, që kanë të drejtë të qëndrojnë në shtëpinë e Nabukodonozorit.«

14Judita i përgjigji: »Po kush jam unë që t’i kundërshtoj imzotit? Gjithçka është e pëlqyeshme në sytë e tij, unë do ta bëj me gjithë ëndje dhe kjo do të jetë një kënaqësi deri në ditën e vdekjes sime.«

15Menjëherë u ngrit dhe u vesh me petkat e veta, u stolis me çdo stoli gruaje. Para saj shërbëtorja e saj me postat e deshve që i kishte marrë prej Bagoit për përdorimin e përditshëm e i kishte shtrirë për të ngrënë mbi ta përballë Olofernit.

16Judita hyri dhe u ul në shtrojë. Zemra e Olofernit u shqetësua, shpirti iu trondit thellë e gjithnjë shkonte duke u shtuar epshi i tij ndaj saj. Vërtet qysh ditën që e pa, kërkonte kohën kur ta ngashnjente.

17Oloferni i tha: »Pi e gëzohu bashkë me ne!«

18Judita i përgjigji: »Do të pi me ëndje, zotni, sepse sot po ndjej se jeta ime është aq e madhe sa nuk ka qenë kurrë më parë prej se kam lindur.«

19Hëngri e piu në praninë e tij çka i kishte bërë gati shërbëtorja e saj.

20Olofernin e kënaqi prania e saj dhe piu aq shumë atë ditë, sa që qysh kur kishte lindur nuk kishte pirë aq në një ditë.