Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 13

Judita e sjell në Batuli kokën e Olofernit

20 vargje

1Kur u bë mbrëmje, oficerët e tij shpejtuan të largohen. Bagoai, pasi i përcolli edhe ata që ishin aty, te zotnia, rojet e tija, e mbylli përjashta derën e tendës. Të gjithë shkuan në banesat e veta. Të gjithë ishin të lodhur e të mbetur nga pija e shumtë që kishin pirë.

2Mbeti vetëm Judita në tendë, kurse Oloferni i shtrirë gjerë e gjatë në shtratin e vet ishte i dehur e i përlyer me verë.

3Judita i tha shërbëtores së vet të shkojë e të presë te tenda se do të dalë të lutet si për ditë. Ajo i tha se do të dalë për uratën e vet dhe kështu i tha edhe Bagoait.

4Të gjithë ishin larguar nga prania e Olofernit dhe askush, as i vogël as i madh, nuk kishte mbetur në dhomën e fjetjes së tij. Judita u ngrit në këmbë te kryet e tij e u lut: »Zot, o Zot, Hyj që jep fuqi, përkrahe në këtë moment veprën e duarve të mia që të madhërohet Jerusalemi!

5Tani është koha ta kujtosh trashëgimin tënd e ta sendërtosh synimin tim për t’i zhbirë armiqtë që u ngritën kundër nesh.«

6U afrua te ballaniku i shtratit që ishte te koka e Olofernit, e hoqi shpatën e tij që ishte e vjerrë në të.

7U afrua te shtrati, ia ngjiti flokëve të kokës së tij e tha: »Hyji i Izraelit, më jep fuqi në këtë ditë, o Zot, Hyji i Izraelit!«

8Dhe dy herë me sa pati fuqi e goditi në qafë dhe i këputi kokën prej trupit.

9Pastaj trupin e tij e rrokullisi nga shtrati dhe e hoqi mbulesën nga shtyllakët. Pas pak doli jashtë dhe ia dha kokën e Olofernit shërbëtores së vet,

10të cilën e qiti në duqet e ushqimeve të veta. Atëherë të dyja së bashku dolën sipas zakonit kinse për t’u lutur. Si e lanë fushimin, e kaluan krejt luginën, u kapën përpjetë malit të Betulisë dhe arritën te dera e qytetit.

Judita e sjell në Batuli kokën e Olofernit

11Judita prej së largu u thirri rojeve të dyerve: »Hapeni, hapeni shpejt derën! Me ne është Hyji, Hyji ynë, për të kryer trimëri përsëri në Izrael e për ta dëftuar fuqinë kundër armiqëve tanë, siç bëri edhe sot!«

12Posa njerëzit e qytetit e dëgjuan zërin e saj, shpejtuan të zbresin te dera e qytetit të vet dhe i thirrën pleqtë e qytetit.

13Dhe të gjithë nga më i vogli deri te më i madhi ngarendën, sepse u çuditën që ishte kthyer. E hapën derën, i pranuan, ndezën një zjarr për të bërë dritë dhe e rrethuan.

14Judita u tha me zë të lartë: »Lëvdojeni Zotin tonë! Lëvdojeni atë, sepse nuk ia mohoi shtëpisë së Izraelit mëshirën e vet, por sonte i ndrydhi armiqtë tanë me dorën time!«

15Atëherë e nxori nga duqet kokën, ua dëftoi e tha: »Qe, koka e Olofernit, kryekomandantit të forcave të armatosura të asirianëve dhe, ja, mbulesa nën të cilën pushonte i dehur! Zoti e goditi me dorën e një gruaje!

16Jetë e lavdi Zotit, që më ruajti në ndërmarrjen time, sepse e ngashnjeu atë bukuria e fytyrës sime për humbjen e tij dhe nuk mundi të bëjë asnjë të keqe me mua për të më fëlliqur e për të më turpëruar!«

17Mbarë populli i mrekulluar përtej mase, ranë përmbys në adhurim, i dhanë adhurim Hyjit e brohoritën njëzëri: »Qofsh bekuar, ti o Hyji ynë, që në ditën e sotme i asgjësove armiqtë e popullit tënd!«

18Atëherë Ozia i tha Juditës: »Qofsh bekuar, o bijë, prej Hyjit të Tejetlartë, më tepër se të gjitha gratë e mbarë botës! Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë, Krijuesi i qiellit e i tokës, që të udhëhoqi t’ia presish kokën prijësit të armiqve tanë!

19Jo, jo, kurrën e kurrës nuk do të shlyhet prej zemrave të njerëzve lavdia jote! Por përgjithmonë do ta përkujtojnë fuqinë e madhe të Hyjit!

20Të shpërbleftë Zoti me nder të përhershme, të mbuloftë me të gjitha të mirat, që s’e kurseve jetën tënde për shkak të përvujtërimit të fisit tonë: ti u sule kundër rrënimit tonë duke vepruar drejt para syve të Hyjit tonë!« E mbarë populli brohoriti: »Ashtu qoftë! Ashtu qoftë!«