Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 3

Fushata kundër perëndimit, Qëndrimet e ushtrisë së Olofernit (2)

10 vargje

1Këndej edhe i dërguan lajmëtarë paqeje që t’i thonë:

2»Qe, ne jemi shërbëtorët e mbretit të madh Nabukodonozorit, qëndrojmë para teje: bëj me ne si të të pëlqejë ty.

3Qe, të gjitha fshatrat tona, çdo vend yni, çdo arë me grurë, grigjat tona e gjedhët tanë, të gjitha vathat e bagëtive tona janë në duar të tua, bëj me to si të të pëlqejë ty!

4Ja, edhe të gjitha qytetet tona dhe të gjithë banorët e tyre, janë shërbëtorët e tu, eja e bëj me ta si të të pëlqejë ty!«

5Erdhën, pra, këta njerëz, u paraqitën te Oloferni dhe ia thanë këto fjalë.

6Atëherë Oloferni me të gjithë ushtrinë e vet zbriti në bregdet, vuri roje në qyteza dhe prej tyre mori njerëz të zgjedhur si ushtri ndihmëse.

7Njerëzit e bregdetit dhe të rrethinave i dolën përpara ta presin me kurorë, valle e tupana.

8Ai atëherë i rrafshoi të gjitha lartësirat e tyre, i preu të gjitha pyjet e shenjta të tyre, sipas urdhrit që kishte pasë marrë për t’i zhdukur të gjitha hyjnitë vendëse në mënyrë që të gjithë popujt, të gjitha gjuhët dhe të gjitha fiset e botës t’i shërbenin vetëm Nabukodonozorit dhe t’i luteshin atij si Hyjit.

9Arriti përballë Esdrelonit pranë Dotainit, që është ballë për ballë me malet e mëdha të Judesë.

10Ngulën fushimin ndërmjet Gabasë dhe Qytetit të Skitëve. Aty qëndroi një muaj për të mbledhur nozullime për ushtrinë.