Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 6

Ahiorin ua dorëzojnë izraelitëve

21 vargje

Ahiorin ua dorëzojnë izraelitëve

1Kur u qetësua zhurma e atyre që ishin mbledhur në kuvend, Oloferni, kryekomandanti i ushtrisë së Asirisë, i tha Ahiorit, në sy të të gjithë popujve të ndryshëm e të gjithë të bijve të Moabit:

2»Kush je ti, o Ahior, e kush janë luftëtarët e blerë të Efraimit, që të bëhesh profet ndër ne si sot e po na thua se s’mposhtet raca e bijve të Izraelit, se po i mbrojtka Hyji i tyre? E cili është ai Hyji tjetër përveç Nabukodonozorit, mbretit të tërë botës? Ky do ta dërgojë ushtrinë e vet e do t’i çrrënjosë nga faqja e dheut dhe nuk do t’i shpëtojë Hyji i tyre!

3Ne, shërbëtorët e tij, do t’i godasim si të ishin një njeri i vetëm dhe nuk do të mund ta përballojnë fuqinë e kuajve tanë.

4Me kuaj do t’i mbulojmë! Bjeshkët do të zhyten në gjak, e me kufomat e tyre do të mbushen fushat. Këmba e tyre s’do të mund të qëndrojë para nesh, por do të shfarosen të gjithë si një! Kështu thotë Nabukodonozori, mbreti i mbarë tokës: ai tha dhe s’do të shkojnë huq fjalët e gojës së tij!

5Kurse ti, o Ahior, mercenar i amonëve, që i the këto fjalë në ditën e të keqes sate, nga dita e sotme s’do ta shikosh më fytyrën time deri sa t’i hakmerrem racës së atyre që dolën nga Egjipti.

6Atëherë ijët e tua do t’i përshkojë hekuri i ushtrisë sime dhe shpata e shërbëtorëve të mi e do të biesh me të plagosurit e tyre kur unë të kem ardhur.

7Sepse shërbëtorët e mi do të çojnë në malësi dhe do të lënë në njërin ndër qytetet e shpateve.

8S’do të vdesësh deri sa ta tres farën bashkë me ta!

9E në qoftë se ke farë shprese në zemrën tënde se ata nuk do të pushtohen, atëherë të mos vrahet fytyra jote! Thashë dhe fjala ime s’do të shkojë huq!«

10Atëherë Oloferni u urdhëroi shërbëtorëve të vet, që ishin pranë në tendën e tij, ta kapin Ahiorin e ta çojnë në Betuli e t’ua dorëzojnë bijve të Izraelit.

11Shërbëtorët e tij e kapën, e qitën jashtë fushimit, kaluan nëpër fushë e andej morën drejtimin kah malësia dhe arritën te krojet nën Betulinë.

12Kur njerëzit e qytetit të ndërtuar në majë të malit i panë, i morën armët dhe dolën nga qyteti në majë të malit, e zunë rrugën në grykën e tij dhe filluan t’i gjuanin me pesha.

13Ata u strukën nën mal, e lidhën Ahiorin dhe e lanë lëmuq në rrëzë të malit e u kthyen te zotëria i tyre.

14Atëherë izraelitët zbritën nga qyteti i vet, zunë vend pranë tij, e zgjidhën, e çuan në Betuli dhe e paraqitën te prijësit e qytetit të vet,

15që aso kohe ishin Ozia, biri i Mikës, nga fisi i Simonit, dhe Kabrisi, biri i Gotonielit dhe Harmisi, biri i Melkielit.

16I thirrën në mbledhje të gjithë krerët e qytetit, por u mblodhën dhe të gjithë të rinjtë e tyre, gratë dhe fëmijët. Ahiorin e vunë në mes të popullit dhe Ozia e pyeti se çfarë kishte ndodhur.

17Ahiori e mori fjalën dhe u tregoi krejt çka ishte thënë në këshillimin e Olofernit, si dhe të gjitha fjalët që i kishte thënë para të gjithë prijësve të Asirisë dhe fjalët e mëdha që i kishte thënë Oloferni kundër shtëpisë së Izraelit.

18Mbarë populli ra me fytyrë përdhe, e adhuroi Hyjin dhe tha:

19»O Zot, Hyji i qiellit, shikoje kreninë e tyre dhe ki mëshirë për përvujtërinë e popullit tonë dhe ktheje sot fytyrën tënde kah ata që të janë kushtuar ty!«

20Pastaj e ngushëlluan Ahiorin dhe i dhanë nder.

21Oziu e mori nga tubimi, e çoi në shtëpinë e vet dhe e përgatiti një darkë të mirë për pleqtë. Gjithë natën e thirrën në ndihmë Hyjin e Izraelit.