Të gjithë kapitujt

Judita · Kapitulli 8

III. JUDITA, Paraqitja e Juditës, etj.

36 vargje

III. JUDITA

Paraqitja e Juditës

1Aso kohe në qytet banonte Judita, e bija e Merariut, të Oksit, të Jozefit, të Ozielit, të Elkisë, të Ananisë, të Gedeonit, të Rafainit, të Akitobit, të Eliabit, të Natanaelit, të Salamielit, të Surisadajit, të Simonit, të Izraelit.

2Burri i saj Manaseu, ishte nga fisi i të parëve të saj. Kishte vdekur në kohën e korrjes së elbit.

3Derisa po i mbikëqyrte lidhësit e dorëzave në arë, i ra në kokë dielli, u sëmur dhe vdiq në qytetin e vet në Betuli. E varrosën bashkë me të parët e tij në arë, që është ndërmjet Dotainit dhe Balamonit.

4Judita, e mbetur e vejë, jetoi në shtëpinë e vet tri vjet e katër muaj.

5Përmbi tarracën e shtëpisë e ndërtoi një dhomë dhe ijët i ngjeshi me grathore. U vesh me petkat e vejnisë.

6Agjëronte çdo ditë të vejnisë së vet, përveç në sy të të shtunave e të shtunave, në sy të hënëve të reja e hënëve të reja, ditëve të festave, dhe ditëve të gëzueshme të shtëpisë së Izraelit.

7Ishte e hijshme dhe shumë e pashme në fytyrë. Ishte shumë e mençur, e shquar dhe shumë e ndershme. Burri i saj Manaseu, biri i Jozefit, të Ahitobit, të Melkisit, të Eliabit, të Natanaelit, të Surisadajit, të Simonit, të Izraelit i kishte lënë ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, gjë e mall dhe ajo jetonte me të gjitha këto të mira,

8e askush s’mundte të thoshte për të asnjë fjalë të keqe, sepse ajo i frikësohej shumë Hyjit.

Judita dhe paria

9Juditës i shkuan në vesh fjalët që populli, i kishte thënë kundër të parit të qytetit pasi e kishte lëshuar zemra për shkak të mungesës së ujit. Judita dëgjoi edhe për përgjigjen e Ozisë: se si ishte përbetuar se pas pesë ditësh do t’ua dorëzonte asirëve qytetin.

10E dërgoi kryeshërbëtoren që e mbikëqyrte të gjithë pasurinë e saj, e thirri edhe Ozinë, Kabriun e Karmiun, të parët e qytetit të vet.

11Kur ata erdhën, ajo u tha: »Më dëgjoni, prijës të banorëve të Betulisë. Nuk është e drejtë fjala juaj që sot e folët para popullit. Ju madje vutë ndërmjet jush dhe Hyjit përbetimin se do ta dorëzoni qytetin në duart e armiqve tanë, në qoftë se brenda këtyre ditëve Zoti, Hyji ynë, nuk do të na e çojë ndihmën e vet.

12Si more, ashtu! Po kush jeni ju që e tunduat Hyjin në ditën e sotme dhe dolët para njerëzve në vend të Hyjit?

13E tani po i vini në provë Zotin e Gjithpushtetshëm! Gjë prej gjëje s’jeni të zotët të kuptoni kurrën e kurrës!

14Nëse s’jeni në gjendje ta shqyrtoni thellësinë e zemrës së njeriut e t’i zbuloni nevojat e shpirtit të tij, atëherë si do të mundeni ta shqyrtoni Hyjin që i bëri të gjitha këto, ta njihni mendimin e tij e t’i kuptoni synimet e tija? Assesi, vëllezërit e mi! Mos e hidhëroni Zotin, Hyjin tonë!

15Në qoftë se ai nuk do të na ndihmojë brenda këtyre pesë ditëve, është në pushtetin e tij të na ndihmojë atëherë kur ai do, ose të na zhdukë para armiqve tanë.

16Mosni, se ju po i vini peng synimeve të Zotit, Hyjit tonë, sepse Hyji nuk është si njerëzit që të frikësohet nga kërcënimet ose si çdo njeri që të mund të qitet në pleq.

17Prandaj duke e pritur me duresë shpëtimin prej tij, ta thërrasim në ndihmë e ai nëse do t’i pëlqejë do të na dëgjojë.

18E njëmend nuk ka pasur dhe as sot e kësaj dite nuk ka në breznitë tona, as në fiset tona, as në atmen tonë, as në popullin tonë, as në qytetin tonë të atillë njerëz që adhurojnë zota të punuar me dorë, sikurse ka pasë ndodhur dikur,

19për shkak të cilëve kanë qenë dënuar për shpatë e pre etërit tanë dhe pësuan humbje të madhe prej armiqve tanë.

20Kurse ne, ne nuk njohim tjetër Hyj përveç Atij! Në të e kemi shpresën dhe ai nuk do të na përbuzë dhe s’do ta lërë pa e shpëtuar kombin tonë.

21Në qoftë se do të na pushtojnë ne, atëherë do të pushtohet mbarë Judeja, do të plaçkiten të gjitha vendet tona të shenjta. Gjaku ynë do të jetë përgjegjës për dhunimin e tyre para Hyjit.

22Vdekja e vëllezërve tanë, robërimi i vendit, shkretëtimi i trashëgimit tonë, do të bien mbi kokat tona ndër sy të paganëve, kudo që të bëhemi skllevër. Do të bëhemi shkandull e turp para syve të atyre që do t’u jemi skllevër,

23sepse skllavëria jonë nuk do të ndjellë mëshirë, por Zoti, Hyji ynë, do ta kthejë atë në çnderim.

24Prandaj, vëllezërit e mi, duhet t’ua vërtetojmë vëllezërve tanë se prej nesh varet jeta e tyre dhe se gjithçka e kemi më të shenjtë, Tempulli dhe lteri, peshojnë më shumë se ne.

25Për të gjitha këto arsye t’i falemi nderit Zotit, Hyjit tonë, që na vë në provë si etërit tanë.

26Të mos e harrojmë se sa prova të mëdha i bëri Abrahamit, Izakut e sa prova të mëdha i bëri Jakobit kur në Mesopotaminë e Sirisë i ruante dhentë e Labanit, dajës së vet!

27Por, si duket edhe ata i përshkoi nëpër zjarrin e provave për t’ua njohur zemrën, kështu edhe ne, jo për të na u hakmarrë, por për të na qortuar se Zoti i frushkullon ata që i afrohen.«

28Ozia i përgjigji: »Gjithçka ke thënë e ke thënë me akull të mendjes dhe s’gjendet njeri që mund t’u kundërshtojë fjalëve të tua.

29Në të vërtetë, s’është se veç sot po dëftohet urtia jote, por qysh prej fillimit të ditëve të tua mbarë populli e njeh urtësinë tënde, sepse zemra jote përbluan veç punë të mbara!

30Por populli vuajti shumë nga etja dhe na shtrëngoi të veprojmë ashtu sikurse u kemi thënë. Na bëri të përbetohemi dhe përbetimin s’kemi se si të mos e zbatojmë.

31Por tash, lutu për ne, e ndoshta do të dëgjojë Hyji ynë, sepse ti je grua e shenjtë, e Zoti do të çojë shi e do t’i mbushë saranxhat tona që të mos sharrojmë.«

32Judita u tha: »Më dëgjoni! Do ta bëj një vepër kujtimi i të cilës do të kalojë nga breznia në brezni të bijve të popullit tonë.

33Ju do të qëndroni sonte te dera e qytetit. Unë do të dal bashkë me kryeshërbëtoren time dhe, brenda ditëve për të cilat keni thënë se do t’ua dorëzoni armiqëve tanë qytetin, Zoti do ta shpëtojë Izraelin me dorën time, jam krejtësisht e bindur.

34Ju veç mos më pyetni se çfarë do të bëj, sepse s’do t’jua tregoj para se ta kem kryer punën.«

35Ozia dhe paria i thanë: »Udha e mbarë! Zoti Hyj të priftë për t’u hakmarrë armiqve tanë!«

36Zbritën nga dhoma e saj dhe shkuan në punën e vet.