Të gjithë kapitujt

Kënga e Këngëve · Kapitulli 6

Kori, E fejuara, etj.

12 vargje

Kori

1Ku ka shkuar i dashuri yt, o më e bukura ndër gra? Nga ka mbajtur i dashuri yt, që me ty të vijmë ta kërkojmë?

E fejuara

2I dashuri im zbriti në kopsht të vet, ndër zagna me bimë të erandshme, që të kullotë grigjën ndër kopshte e të mbledhë zambakë.

3I përkas të dashurit tim, i dashuri im vetëm mua: ai i kullot grigjat ndër lila.

POEMA E PESTË

I fejuari

4Je e bukur, mikesha ime, porsi Tersa, e pashme si Jerusalemi, e tmerrshme porsi ushtria e vënë në rreshta për të luftuar!

5Mos më shiko me sytë e tu se m’i morën mendtë krejtësisht! Flokët e tu si tufa e dhive kur zbret shpatit të Galaadit!

6Dhëmbët e tu si grigja e qethur, që posa doli nga larja, dy nga dy të gjitha rreshtuar dhe asnjëra e vetmuar.

7Si gjel shege mollëzat tua më duken nëpër velin tënd!

8Mbretëresha janë gjashtëdhjetë, tetëdhjetë janë shemra të tjera kurse vajza janë pa numër:

9ndan ndër to pëllumbesha ime, vetëm një është e përsosura ime! Një e vetmja bijë e s’ëmës, e zgjedhura e asaj që e lindi! E panë vajzat dhe e shpallën të lume, mbretëreshat edhe shemrat i kënduan lavde:

10“Kush është kjo që ecën hijshëm si agimi kur nis të zbardhë? E bukur sikurse hëna, e shkëlqyeshme porsi dielli, e tmerrshme porsi ushtria e vënë në rreshta për të luftuar”?

11Zbrita vetë në pemishte tarrave, të shikoj a gjelbëron vërrini, a nisi të bulëzojë hardhia, a filluan të lulëzojnë shegat.

12Se di si... por dëshira ime më vuri në karrocë të popullit tim bujar!