Të gjithë kapitujt

Kënga e Këngëve · Kapitulli 7

Kori, I fejuari, etj.

14 vargje

Kori

1Sillu, sillu, o Sulamitë, kthehu, kthehu duam të të shikojmë!

I fejuari

Ç’ju pëlqen në Sulamitën

tek vallëzon në mes dy koresh?

2Oh sa të bukura këmbët e tua, në sandale, o moj bijë princash! Beli yt porsi gjerdani punuar me dorë mjeshtrore!

3Prehri yt kupë rrumbullake, gjithmonë plot me verë të erandshme! Barku yt një grumbull gruri rreth e rreth thurur me lila!

4Gjinjtë e tu dy drerë të rinj të drenushës dy binjakë!

5Qafa jote kullë fildishi! Sytë e tu dy liqene në Hesebon aty në hyrje të Batrabimit! Hunda e bukur si kulla e Libanit që rri në rojë përballë Damaskut!

6Ma ke kokën si bjeshka e Karmelit, m’i ke flokët porsi kadife: në gërsheta të ngatërrohet mbreti!

7Sa e bukur, sa e hijshme je, o më e dashura ndër kënaqjet!

8Ardhur shtatit porsi palma, parzmat tua vile rrushi!

9Thashë: Do t’i ngjitem palmës në majë, do t’i këpus frutat e saj! Parzmat tua vile rrushi, era e gojës si era e mollës.

10Qiellza jote më e mira verë... që rrjedh drejt te i dashuri im për ta pirë, për ti lagur buzë e dhëmbë.

E fejuara

11I përkas të dashurit tim edhe ai shkrihet për mua.

12Eja, o i dashur, e të shkojmë në fushë, të banojmë sa kohë në katunde:

13në agim herët shkojmë ndër vreshta, shohim a lulëzon hardhia, a çel lulja, a lulëzon shega: atje dashurinë t’dhuroj.

14Mandragorat po erëzojnë, n’shtëpinë tonë kem’ çdo lloj frutash të reja e të vjetra: i ruajta për ty, o i dashur!