Të gjithë kapitujt

Kolosianëve · Kapitulli 2

Begatia e jetës në Krishtin, Jeta e re në Krishtin

23 vargje

1Këndej dëshiroj ta dini se ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata në Laodice edhe për të gjithë tjerët që nuk më kanë parë kurrë personalisht,

2që të ngushëllohen zemrat e tyre dhe, të bashkuar në dashuri t’ia arrijnë tërë begatisë, plotësisë së kuptimit, njohjes së vërtetë të Misterit të Hyjit - Krishtit.

3Në Të janë të fshehura të gjitha visaret e dijes e të kuptimit.

4Ju them këtë që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse.

5Edhe pse me trup nuk jam i pranishëm, megjithatë me shpirt jam ndër ju: me kënaqësi e vërej radhën tuaj dhe patrandshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.

Begatia e jetës në Krishtin

6Sikurse e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në Të:

7të rrënjosur, vazhdimisht të mbimuruar në të dhe të fortë në fe sikurse qetë mësuar, gjithherë përplot me falënderim.

8Ruanu të mos ju gënjejë kush me anë të »filozofisë« - me stërhollime të kota, që bazohen në thashethënat njerëzore, në »elementet e botës« e jo në Krishtin.

9Dhe, pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni

10të mbushur me anë të Tij. Ai është Kryet e çdo Principate e Pushteti.

11Në të jeni edhe të rrethprerë, por me një rrethprerje që s’është bërë me dorë njeriu - u zhveshët nga trupi i mëkatit - me anë të rrethprerjes së Krishtit.

12Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit.

13Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona,

14Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq.

15I çarmatosi Principatet dhe Pushtetet - e dëftoi këtë botërisht - dhe i hoq zvarrë në kalimin ngadhënjyes të Kryqit!

16Prandaj askush të mos guxojë t’ju dënojë për çështje ushqimi e pijeje, për çështje festash o hëne së re ose të të shtunash,

17sepse këto janë vetëm hija e atyre që duhej të vinin, kurse realiteti është Krishti!

18Askush të mos ju shpallë të padenjë për shpërblim qiellor, pse ai, kinse »kënaqet në përshpirtëri dhe nderim të engjëjve«, kinse është në vegime dhe është themeluar në kujtime shpirtërore dhe në mendjen e vet fryhet për pamje përrallore,

19por nuk është i lidhur me Krye - me Atë, prej të cilit mbarë Trupi, në saje të gjymtyrëve dhe të nyjeve, i kujdesuar dhe i lidhur në një, rritet me rritjen që jep Hyji.

Jeta e re në Krishtin

20Nëse bashkë me Krishtin keni vdekur për parimet e botës, pse atëherë - thua se jeta juaj është ende e varur nga kjo botë, u nënshtroheni disa rregulloreve, si këto:

21»Mos merr, mos shijo, mos prek!«

22Të gjitha këto janë të caktuara të mbarojnë me përdorim! Rregullore dhe mësime njerëzish!

23Të gjitha këto janë kinse nderim Hyjit, përshpirtëri, kinse pendesë, duken si të ishin vërtet urti, por nuk kanë kurrfarë vlere, vetëm sa për të kënaqur trupin!