Të gjithë kapitujt

Kolosianëve · Kapitulli 3

Detyrat shoqërore të jetës së re

25 vargje

1Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit!

2Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë!

3Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin.

4E kur të duket Krishti - Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.

5Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastria, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë - ajo idhujtari -

6për shkak të tyre vjen hidhërimi i Hyjit [mbi ata që nuk dëgjojnë].

7Po, dikur edhe ju ecët kësaj udhe, kur jetuat në këto vese.

8Por tani edhe ju flakni larg të gjitha këto: hidhërimin, zemërimin, të keqen, blasfeminë; goja juaj të mos përdorë fjalë të ndyta!

9Mos rreni njëri-tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tija

10dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përgjasim të Krijuesit të vet.

11Aty nuk ka më: grek - hebre, rrethprerje - parrethprerje, barbar - skit, skllav - të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12Veshuni, pra, mbasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë.

13Duroni njëri-tjetrin dhe falni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju!

14E mandej, përmbi të gjitha veshuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet.

15Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja - në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!

16Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshilloni njëri-tjetrin me plot urti! Këndoni lavde Hyjit me gjithë zemër psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme!

17Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke iu falënderuar me anë të Tij Hyjit Atë.

Detyrat shoqërore të jetës së re

18Ju gra, dëgjoni burrat tuaj ashtu si ka hije në Zotin.

19Ju burra, doni gratë tuaja dhe mos jini me to të vrazhdët!

20Ju fëmijë, dëgjoni prindërit në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit.

21Ju etër, mos i tutukatni fëmijët tuaj që të mos e humbin guximin.

22Ju skllevër, dëgjoni zotërinjtë tuaj tokësorë në gjithçka, jo vetëm ndër sy sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, me frikën e Zotit.

23Çfardo pune që të bëni, bëne me vullnet, si ta bëshit për Zotin e jo për njerëz

24të sigurtë se do të merrni prej Zotit trashëgimin si shpërblim. Zotëria është Krishti; shërbeni Atij!

25Patjetër, ai që bën padrejtësi, do të shpaguhet për padrejtësi që bëri. Nuk ka krahambajtje.