Të gjithë kapitujt

Kolosianëve · Kapitulli 4

Porositë, Përshëndetjet e fundit

18 vargje

1Ju zotërinj, jepnu skllevërve çka u përket me të drejtë dhe me drejtësi të vetëdijshëm se edhe ju e keni Zotërinë në qiell.

Porositë

2Qëndroni në uratë; rrini zgjuar në lutje duke u falënderuar!

3Gjithashtu lutuni edhe për ne që Hyji të na e hapë një fushë predikimi të lirë që të mund ta kumtojmë misterin e Krishtit, për shkak të të cilit jam ndër pranga

4dhe që ta shpall ashtu si e kam për detyrë të flas.

5Silluni me urti ndaj atyre që nuk janë të krishterë; shfrytëzoni rastin sa më mirë!

6Fjala juaj të jetë gjithmonë e ëmbël, plot urti. Dini gjithkujt t’i përgjigjni si duhet.

Përshëndetjet e fundit

7Gjithë si gjendem unë - do t’ju tregojë Tihiku, vëllai i dashur, ndihmësi besnik dhe shërbëtor në Zotin bashkë me mua.

8Po e dërgoj veçanërisht për t’ju njoftuar me gjendjen tonë dhe për të ngushëlluar zemrat tuaja.

9Po e dërgoj bashkë me Onezimin, vëllanë besnik e të dashur, i cili është bashkëvendasi juaj: ata do t’ju tregojnë si qëndron puna këtu.

10Ju bën të fala Aristarku që është i burgosur bashkë me mua. Gjithashtu edhe Marku, nipi i Barnabës [për të cilin ju patëm urdhëruar, që, nëse do të vijë, t’i bëni pritje të mirë].

11Ju bën të fala edhe Jezusi që quhet Just. Këta janë të vetmit që, prej të rrethprerëve, bashkëpunojnë me mua në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Këta qenë për mua një ngushëllim.

12Ju bën të fala edhe Epafri, bashkëvendasi juaj, shërbëtor i Krishtit [Jezus]; ky gjithmonë lufton me uratë për ju, që të qëndroni të përsosur dhe të patrandshëm në plotësimin e vullnetit të Hyjit.

13Unë dëshmoj për të se kujdeset për së forti për ju, për ata në Laodice dhe në Hierapolis.

14Ju bën të fala edhe Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.

15Përshëndetni vëllezërit në Laodice si dhe Nimfën dhe kishën që bashkohet në shtëpinë e saj.

16E, kur kjo Letër të lexohet ndër ju, kujdesohuni që të lexohet edhe në Kishën e laodicenjve, po ashtu edhe ju kujdesohuni ta lexoni atë të Laodicesë.

17Thoni Arkipit: »Ki kujdes shërbesën që more në Zotin dhe plotësoje si duhet!«

18Të fala me dorën time - të Palit. Mos i harroni prangat e mia! Hiri qoftë me ju!