Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 22

Zëri i mirë i gruas së re, Kurorëshkelja dhe fëlligështia

29 vargje

1Kur ta shohësh kaun ose delen e tretur të vëllait tënd, mos kalo, por çoja vëllait tënd.

2E nëse vëllai yt nuk është afër, ose nuk e njeh, çoje në shtëpinë tënde derisa t’i kërkojë vëllai yt e t’i marrë.

3Po kështu vepro edhe me gomarin, me petkun e me çfarëdo sendi që t’i ketë tretur vëllait tënd: nëse i gjen, mos bëj kinse s’i pashë.

4Nëse sheh se është rrëzuar gomari ose kau i vëllait tënd në rrugë, mos u shmang, por ngrije bashkë me të.

5Gruaja të mos vishet me petka burrash as burri të mos i përdorë të vëshmet e grave: sepse kushdo bën kështu i velet Zotit, Hyjit tënd.

6Nëse, duke bërë rrugë, në një dru ose në tokë gjen një çerdhe të ndonjë shpendi dhe nënën duke ndenjur mbi zogj ose mbi vezë, mos ua merr zogjve nënën,

7por lëre nënën të shkojë e merri zogjtë. Kështu do të jesh fatmirë e jetëgjatë.

8Kur të ndërtosh shtëpi të re, bëji mur përreth tarracës që e mbulon dhe kështu nuk do të biesh në gjak nëse ndokush thyen qafën prej saj.

9Mos mbill tjetër gjë në vreshtin tënd që të mos shugurohet njëherësh e çka mbolle e fryti i vreshtit.

10Mos lëvro me një ka e me një gomar së bashku.

11Mos vish petk të punuar me lesh e me li përzier.

12Bëji thekë në katër këndet petkut me të cilin mbulohesh.«

Zëri i mirë i gruas së re

13»Kur ndokush martohet dhe bashkëjeton me gruan, por pastaj e urren,

14i shpifet për punë të liga e ia merr nderin duke thënë: ‘Unë e mora këtë për grua, por kur iu afrova nuk e gjeta të virgjër’,

15atëherë i ati dhe e ëma e vajzës le t’i marrin e le t’i çojnë me vete shenjat e virgjërisë së vajzës te pleqtë e qytetit, te dera.

16I ati le të thotë:’ Këtij burri ia dhashë bijën time për grua. Ky, pasi e urren,

17ia qiti zërin e keq saqë thotë: ‘Nuk e gjeta vajzën tënde të virgjër’; e pra, ja shenjat e virgjërisë së vajzës sime’. Atëherë le ta shtrijnë petkun para pleqve të qytetit.

18Atëherë pleqtë e qytetit le ta marrin burrin e saj dhe le ta rrahin

19e për më tepër le ta dënojnë me njëqind sikla të argjendtë, të cilët do t’ia japin babës së vajzës, sepse u përhap një zë tejet i keq për një virgjëreshë të Izraelit dhe i duhet ta marrë për grua dhe nuk do të mund ta lëshojë përjetë.

20Por nëse është e vërtetë ç’thotë ai, nëse vajza vërtet nuk u gjete e virgjër,

21le ta qesin te dera e babës së saj dhe burrat e atij qyteti le ta vrasin me gurë dhe le të vdesë, sepse bëri poshtërsi në Izrael: fëlligështoi në shtëpinë e t’et. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.«

Kurorëshkelja dhe fëlligështia

22»Nëse gjendet ndonjë njeri që fle me gruan e tjetërkujt, le të vriten të dy, burri dhe gruaja. Kështu do ta çrrënjosësh të keqen nga Izraeli.

23Nëse një vajzë të virgjër, të fejuar për burrë, e gjen ndokush në qytet dhe fle me të,

24çoni të dy te dera e atij qyteti dhe vritni me gurë derisa të vdesin: vajzën, sepse nuk lëshoi kushtrimin, pasi ishte në qytet, trimin, sepse e dhunoi gruan e të afërmit të vet, Kështu do ta çrrënjosësh të keqen prej mesit tënd.

25Por, nëse trimi e gjen në fushë vajzën e fejuar, e kap dhe e dhunon, ai le të vritet vetëm;

26vajzës mos i bëj asnjë të keqe, s’është fajtore për vdekje, sepse, sikur kur dikush çohet kundër vëllait të vet dhe e vret, po kështu pësoi edhe ajo vajzë:

27ishte vetëm në fushë, kishte bërtitur vajza e fejuar, por s’qëlloi askush që t’i ndihmonte.

28Nëse një njeri gjen një vajzë të virgjër të pafejuar, e kap dhe mëkaton me të, dhe çështja del para gjykatësve,

29ai që ka fjetur me të, le t’i japë t’et të vajzës pesëdhjetë sikla të argjendtë e le ta marrë për grua, sepse ai e ka dhunuar: nuk ka mundësi ta lëshojë për sa të jetë gjallë.