Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 23

Pjesëmarrja në mbledhje kulti, Pastërtia e tëbanishtës, etj.

26 vargje

1Askush të mos guxojë ta marrë për grua gruan e babës së vet dhe të mos guxojë ta zbulojë mbulesën e tij.«

Pjesëmarrja në mbledhje kulti

2»Njeriu i tredhur ose i qëruar ose me mashkullor të prerë, të mos hyjë në mbledhjen e Zotit.

3As i përzieri të mos pranohet në bashkësinë e Zotit as në të dhjetin brez.

4Amoniti dhe moabiti të mos hyjnë në mbledhjen e Zotit as në të dhjetin brez, askurrë,

5sepse nuk deshën t’ju dalin në takim me bukë e me ujë në udhëtim kur kishit dalë prej Egjiptit dhe sollën kundër teje Balaamin, birin e Beorit, prej Faturit në Aramnaharaim, që të të mallkojë.

6por Zoti, Hyji yt, nuk deshi të dëgjonte Balaamin dhe mallkimin e tij ta bëri bekim, sepse të do.

7Kurrë mos bëj paqe me ta e mos u ndihmo të jenë mirë për sa të jesh gjallë, askurrë.

8Mos e urre idumeun, sepse është vëllai yt, as egjiptianin, sepse ke qenë i ardhur në tokën e tij:

9fëmijët e tyre në të tretin brez le të marrin pjesë në bashkësinë e Zotit.«

Pastërtia e tëbanishtës

10»Kur të jesh çuar në luftë kundër armiqve të tu, ruhu prej çdo gjëje të keqe.

11Nëse gjendet ndër të tutë ndonjë njeri që nuk është në gjendje të pastër për shkak të derdhjes së farecit në gjumë, lë të dalë jashtë tëbanishtës e të mos kthehet,

12para se të lahet me ujë në mbrëmje; në perëndim të diellit le të rikthehet në fushim.

13Të kesh një vend jashtë tëbanishtës për të dalë për nevojë,

14në brez mbarte një lopatë. Me të, kur të dalësh jashtë, çil gropën dhe, pasi të kesh kryer nevojën, mbuloje me dhe.

15Sepse Zoti, Hyji yt, ecën nëpër fushimin tënd që të të ruajë ty e të t’i dorëzojë armiqtë e tu. Le të jenë llogoret e tua të shenjta: bëj çmos që Zoti të mos shohë ndonjë send të pahijshëm në të, që të mos largohet prej teje.«

Ligje shoqërore e të kultit

16»Mos ia dorëzo të zotit skllavin që, pasi t’i ketë ikur, të ka rënë ndore ty.

17Le të qëndrojë tek ti, në vendin tënd, në atë qytet që t’i pëlqejë ta zgjedhe ndër qytetet e tua. Ruaju se e shfrytëzon!

18Të mos ketë fëlligështi shenjtëroreje ndër bijat e Izraelit as fëlligështi shenjtëroreje ndër bijtë e Izraelit.

19Mos e kushto pagën e lavires as çmimin e qenit në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd, sido që të jetë kushti që ti ta kesh bërë: sepse të dyja janë të urryeshme para Zotit, Hyjit tënd.

20Mos i huajo vëllait tënd asgjë me kamatë: as para, as ushqime dhe asgjë tjetër.

21Të huajit huajoj me kamatë. Kurse vëllait tënd huajoj pa kamatë çkado të ketë nevojë në mënyrë që të të bekojë Zoti, Hyji yt, në çdo veprimtari tënden në tokën që do të hysh për ta marrë për pronë.

22Kur t’i kesh bërë Zotit, Hyjit tënd, ndonjë kushtim, mos vono ta kryesh, sepse Zoti, Hyji yt, do ta kërkojë prej teje: ky do të ishte për ty mëkat.

23Nëse nuk bën kushtim, nuk bën mëkat;

24por çka të nxjerrin buzët e tua, mbaje, çka t’i kesh kushtuar vullnetarisht Zotit, Hyjit tënd, zbatoje: i lirë dhe me gojën tënde e fole vetë.

25Kur të kesh hyrë në vreshtin e të afërmit tënd, ha rrush sa të duash, por mos merr me vete në shportë.

26Nëse hyn në drithëra të mikut, mund të thyesh kallinj me dorë, por mos korr me drapër.«