Të gjithë kapitujt

Ligji i Përtërirë · Kapitulli 27

Ligji u shkrua. Ceremonitë e kultit

26 vargje

Ligji u shkrua. Ceremonitë e kultit

1Atëherë Moisiu dhe pleqtë e Izraelit i urdhëruan popullit me këto fjalë: »Mbani çdo urdhërim që unë po ju jap sot.

2Kur ta kaloni Jordanin në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë ty, merr gurë të mëdhenj, dhe lyeji me gëlqere.

3Në ta shkruaj të gjitha fjalët e këtij Ligji kur ta kesh kaluar Jordanin për të hyrë në tokën që Zoti, Hyji yt, do të ta japë, në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, sikurse të ka thënë Zoti, Hyji i etërve të tu.

4Kur ta kaloni, pra, Jordanin, atëherë këta gurë, sipas urdhrit që unë po ju jap sot, ndreqni në malin Hebal dhe lyeni me gëlqere.

5Aty ndërtoje për nder të Zotit, Hyjit tënd, një lter gurësh të paprekur nga hekuri,

6të palatuar dhe aty kushtoja Zotit, Hyjit tënd, flitë e shkurmbimit.

7Kushto edhe fli paqeje, ha aty e gostitu në praninë e Zotit, Hyjit tënd.

8Shkruaj mirë e qartë mbi gurë të gjitha fjalët e këtij Ligji.«

9Moisiu dhe priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit: »Dëgjo me vëmendje, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Hyjit tënd!

10Dëgjoje zërin e tij dhe zbatoji urdhërimet e ligjet e tija, që unë sot po t’i urdhëroj.«

11Atë ditë Moisiu i urdhëroi popullit e i tha:

12»Këta le të qëndrojnë mbi malin Garizim pasi ta keni kaluar Jordanin për ta bekuar: Simoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Beniamini.

13Dhe ja, këta le të qëndrojnë mbi malin Hebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Aseri, Zabuloni, Dani, dhe Neftaliu.

14Kurse levitët, me zë të lartë, le t’u bëjnë këtë shpallje mbarë burrave të Izraelit:

15‘Mallkuar qoftë ai njeri që punon idhull të gdhendur ose metali të shkrirë - gjë që i neveritet Zotit - që s’është por vepër e dorës së mjeshtrit, qoftë edhe ta mbajë fshehur! E mbarë populli le të përgjigjet e të thotë: ‘Amen!’

16‘Qoftë mallkuar ai që përbuz babën e nënën e vet!’ Mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

17‘Qoftë mallkuar ai që ia shtyn të afërmit kufirin!’ Mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

18‘Mallkuar qoftë ai që e bën të verbëtin ta humbasë rrugën!’ E mbarë populli le të përgjigjet: ‘Amen!’

19‘Qoftë mallkuar ai që i shkel të drejtën ardhacakut, bonjakut e vejushës!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

20Qoftë mallkuar kush fle me gruan e babës se vet, sepse zbulon mbulesën e shtrojës së tij!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

21‘Qoftë mallkuar kushdo fle me çfarëdo kafshe!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

22‘Qoftë mallkuar kush fle me motrën e vet, qoftë ajo bijë e babës, qoftë ajo bijë e nënës!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

23‘Qoftë mallkuar kush fle me vjehrrën e vet!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

24‘Qoftë mallkuar kush vret të afërmin e vet në moh!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

25‘Qoftë mallkuar ai që për para vret gjakun e pafajshëm!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’

26‘Qoftë mallkuar kush s’do t’i mbajë fjalët e këtij Ligji dhe ai që s’do t’i vërë në zbatim!’ E mbarë populli le të thotë: ‘Amen!’«